Home / Lajme / Kosova / Kosova dhe Gjermania forcojnë bashkëpunimin për tranzicionin klimatik dhe energjetik, nënshkruhet marrëveshje e re

Kosova dhe Gjermania forcojnë bashkëpunimin për tranzicionin klimatik dhe energjetik, nënshkruhet marrëveshje e re

Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, së bashku me GIZ Kosovo, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Zbatimit për projektin “Mbështetje për Partneritetin për Tranzicionin Klimatik dhe Energjetik”, duke hapur një fazë të re të bashkëpunimit me Gjermaninë në fushën e klimës dhe energjisë.

Marrëveshja synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë në zhvillimin e politikave klimatike dhe zbatimin e agjendës së tranzicionit energjetik. Projekti do të mbështesë dialogun politik, forcimin e kapaciteteve institucionale, diplomacinë klimatike dhe koordinimin ndërmjet institucioneve të përfshira.

Përmes këtij partneriteti, institucionet synojnë të avancojnë përpjekjet për adresimin e ndryshimeve klimatike, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe shndërrimin e prioriteteve strategjike në masa konkrete për tranzicionin energjetik, përcjell Energy Monitor.

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani Mullarama, e vlerësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përshpejtimin e përpjekjeve të Kosovës drejt një sistemi energjetik më të qëndrueshëm.

“Bashkëpunimi me partnerët tanë ndërkombëtarë është thelbësor për avancimin e agjendës klimatike dhe energjetike. Përmes këtij projekti, ne do të vazhdojmë të forcojmë kapacitetet tona institucionale dhe të punojmë drejt zbatimit të politikave që mbështesin një të ardhme më të qëndrueshme energjetike për qytetarët”, u shpreh ajo.

Partneriteti i ri është pjesë e bashkëpunimit afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë dhe lidhet me përpjekjet e Kosovës për përafrimin e politikave të saj me standardet evropiane në fushën e energjisë dhe klimës.

Projekti financohet nga Ministria Federale Gjermane për Mjedisin, Veprimin Klimatik, Ruajtjen e Natyrës dhe Sigurinë Bërthamore (BMUKN), përmes Nismës Ndërkombëtare për Klimën (IKI), ndërsa zbatohet nga GIZ Kosovo.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com