Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka hapur procedurën e prokurimit për furnizimin dhe instalimin e një transformatori të ri energjetik për njësinë A3 të Termocentralit “Kosova A”. Investimi, me vlerë të parashikuar prej 550 mijë eurosh, synon përmirësimin e infrastrukturës ndihmëse elektrike të njësisë dhe rritjen e sigurisë operacionale të kapaciteteve ekzistuese të prodhimit.
Sipas njoftimit për kontratë, projekti përfshin furnizimin dhe instalimin e transformatorit energjetik T3A me tension 15.75/6.3 kV dhe fuqi 20 MVA, i cili do të vendoset në njësinë A3 të Termocentralit “Kosova A”.
Afati i realizimit të kontratës është paraparë të jetë 215 ditë nga nënshkrimi i saj, ndërsa operatori ekonomik fitues do të jetë i obliguar të ofrojë siguri të ekzekutimit në vlerë prej 10 për qind të kontratës, përcjell Energy Monitor.
KEK ka përcaktuar kritere teknike për operatorët ekonomikë, duke kërkuar dëshmi për përvojë në projekte të ngjashme, përfshirë furnizimin dhe vënien në funksion të transformatorëve me kapacitet dhe tension të njëjtë ose më të lartë.
Sipas dokumenteve të tenderit, prodhuesi i pajisjes duhet të dëshmojë përvojë në furnizimin e transformatorëve të ngjashëm në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe të posedojë certifikime ndërkombëtare për menaxhimin e cilësisë, sigurinë në punë dhe standardet mjedisore, përcjell Energy Monitor.
Ky investim vjen në kuadër të përpjekjeve për mirëmbajtjen dhe modernizimin e kapaciteteve ekzistuese të KEK-ut, të cilat vazhdojnë të mbulojnë pjesën kryesore të prodhimit vendor të energjisë elektrike.
Termocentrali “Kosova A”, i përbërë nga pesë njësi prodhuese, vazhdon të jetë një nga asetet kryesore të sistemit elektroenergjetik të Kosovës, megjithëse përballet me sfida të vazhdueshme teknike për shkak të vjetërsisë së pajisjeve.



