Drejtori i MEPSO, Burim Latifi, ka marrë pjesë si panelist në Forumin Ekonomik të Maqedonisë (MEF 2026), në sesionin “From Reform to Delivery: Building a Competitive and Resilient Energy Future”.
Gjatë prezantimit të tij, ai paraqiti projektet kryesore investuese dhe zhvillimore të kompanisë, të fokusuara në forcimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike dhe mbështetjen e tranzicionit energjetik në vend dhe rajon.
Latifi theksoi rëndësinë e Korridorit elektroenergjetik Lindje–Perëndim, një iniciativë rajonale ku Maqedonia e Veriut ka rol kyç. Sipas tij, në kuadër të planeve nacionale parashihen 18 projekte me vlerë totale rreth 350 milionë euro, që përfshijnë linja transmetimi 400 kV, nënstacione dhe interkoneksione të reja.
Ai veçoi projektet kryesore si interkoneksioni Manastir–Elbasan, nënstacionin 400 kV Miletkovë, si dhe investimet për modernizimin dhe revitalizimin e rrjetit transmetues.
Në fokus të veçantë u vendos edhe digjitalizimi i sistemit elektroenergjetik, implementimi i sistemeve moderne të menaxhimit dhe forcimi i sigurisë kibernetike.
Sipas Latifit, këto investime do të rrisin sigurinë dhe stabilitetin e sistemit elektroenergjetik, do të mundësojnë integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme dhe do të forcojnë ndërlidhjen energjetike rajonale.
“Bashkëpunimi rajonal në energjetikë nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri. Optimizimi rajonal është më efikas dhe më ekonomik sesa izolimi nacional”, theksoi ai.



