Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të martën, ka prezantuar programin e saj qeverisës për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit duke vlerësuar se Kosova ndodhet në një moment vendimtar pas viteve të tensioneve politike, stagnimit ekonomik dhe krizave institucionale.
Programi është i organizuar në gjashtë shtylla strategjike: Siguria Strategjike dhe Partneriteti Ndërkombëtar, Zhvillimi Ekonomik, Drejtësia Efikase dhe Partneriteti me Sektorin Privat, Siguria Energjetike dhe Infrastruktura Moderne, Edukimi Profesional dhe Lidhja e Arsimit me Tregun, Rritja Ekonomike si Bazë për Politikën Sociale, si dhe Shëndetësia e Siguruar dhe Shërbimet Falas.
AAK e përshkruan këtë vizion si një rrugë drejt një Kosove të sigurisë, zhvillimit dhe besimit, duke u bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 7 qershorit të mbështesin, sipas saj, rrugën e punës, qetësisë dhe vizionit afatgjatë.
Kandidati për kryeministër nga, Ardian Gjini, ka prezantuar zotimet e tij për sektorin e energjisë dhe infrastrukturës, duke vlerësuar se mungesa e vizionit në energjetikë po i kushton Kosovës shtrenjtë përmes importeve të energjisë dhe, siç tha ai, taksave të fshehura për qytetarët.
Gjini tha se AAK ka një plan të qartë për zhvillimin e sektorit energjetik. Sipas tij, një qeveri e udhëhequr nga Aleanca do të investojë në modernizimin e Korporatës Energjetike të Kosovës, do të rifillojë projektin e gazsjellësit dhe do të ulë TVSH-në për energjinë elektrike.
Ai premtoi gjithashtu ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr, duke e cilësuar atë si të domosdoshëm për garantimin e pavarësisë energjetike të vendit.
Duke folur për infrastrukturën rrugore, Gjini u zotua për përfundimin e akseve rrugore drejt Gjilanit, Mitrovicës, Podujevës dhe Gjakovës, projekte që sipas tij kanë mbetur të papërfunduara.
“Do ta nisim dhe do ta përfundojmë autostradën e Dukagjinit, si dhe projektin strategjik të hekurudhës Prishtinë–Durrës”, deklaroi Gjini në një videoadresim të publikuar në Facebook.
Sipas AAK-së, qytetarët kanë humbur besimin në funksionimin e shtetit për shkak të konflikteve politike, propagandës dhe polarizimit, ndërsa familjet janë përballur me rritje të kostos së jetesës, pasiguri ekonomike, mungesë perspektive për të rinjtë dhe dobësim të shërbimeve publike.
Kosova, sipas AAK-së, ka nevojë për stabilitet, drejtim dhe zhvillim, duke theksuar se programi nuk është ndërtuar si një listë premtimesh elektorale, por si një plan qeverisës për transformimin ekonomik, institucional dhe strategjik të vendit gjatë viteve 2026–2030.
AAK thekson se programi mbështetet në tri shtylla themelore: sigurinë, energjinë dhe zhvillimin.
Sipas saj, siguria paraqet parakusht për një shtet të fortë dhe ekonomi stabile, energjia është baza e zhvillimit industrial dhe pavarësisë ekonomike, ndërsa zhvillimi vjen si rezultat i punës, investimeve dhe institucioneve funksionale.
Gjini ka vlerësuar se Kosova mund të bëhet një shtet modern evropian përmes ndërtimit të një ekonomie prodhuese, administrate profesionale, drejtësie funksionale, arsimi të lidhur me tregun e punës dhe partneritetit të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Evropian.



