Tremujori i parë i vitit 2026 ka rezultuar pozitiv për sektorin energjetik në Shqipëri. Për shkak të reshjeve të stinës, prodhimi u rrit rreth 65%.
Rritja e ndjeshme e prodhimit të energjisë elektrike gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 ka kthyer Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë, duke ulur ndjeshëm nevojën për importe dhe duke rritur volumin e energjisë së shitur jashtë vendit.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se prodhimi neto vendas i energjisë elektrike arriti në 3650 GWh në tremujorin e parë të këtij viti, nga 2230 GWh në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke regjistruar rritje 63%.
Sipas bilancit të energjisë elektrike, rritja është mbështetur kryesisht nga hidrocentralet publike. Hidrocentralet publike prodhuan 1670 GWh, me një rritje 63%, ndërsa prodhuesit privatë dhe koncesionarë arritën në 1730 GWh, ose 67% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, prodhimi nga burime të tjera të rinovueshme, kryesisht fotovoltaikë, u rrit me 44%, duke arritur në 255 GWh.
Rritja e prodhimit vendas ka ndryshuar ndjeshëm edhe balancën tregtare të energjisë. Importet e energjisë elektrike ranë me 57%, duke zbritur në vetëm 327 GWh, nga 767 GWh në tremujorin e parë të vitit 2025. Në të kundërt, eksportet u dyfishuan, duke arritur në 1500 GWh, ose 105% më shumë se një vit më parë.
Si rezultat, shkëmbimi neto i energjisë rezultoi pozitiv me 1180 GWh, çka do të thotë se Shqipëria eksportoi shumë më tepër energji sesa importoi gjatë tre muajve të parë të vitit.
Edhe konsumi i energjisë në vend ka vijuar të rritet. Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët arriti në 1950 GWh, me rritje prej 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Konsumi familjar u rrit me 9%, ndërsa ai i bizneseve dhe kategorive jofamiljare me 10%, duke reflektuar zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe kërkesën më të lartë për energji.
/euronews.al



