Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Prodhuesit privatë kalojnë KESH-in në prodhimin e energjisë për janar-prill 2026

Shqipëri: Prodhuesit privatë kalojnë KESH-in në prodhimin e energjisë për janar-prill 2026

Prodhuesit privatë dhe koncesionarë siguruan më shumë se gjysmën e energjisë elektrike të prodhuar në vend gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, duke tejkaluar për herë të parë prodhimin e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë (ERE).

Bilanci energjetik tregon se prodhimi neto vendas arriti në 4,4 milionë MWh në periudhën janar-prill. Nga kjo sasi, 2,38 milionë MWh ose rreth 54% u prodhuan nga prodhuesit privatë dhe koncesionarë, ndërsa KESH gjeneroi 2,03 milionë MWh, ose 46% të totalit.

Të dhënat tregojnë se rritja e investimeve private në sektorin energjetik po ndryshon gradualisht strukturën tradicionale të prodhimit, e cila historikisht dominohej nga prodhuesi publik.

Një nga zhvillimet më të dukshme lidhet me zgjerimin e prodhimit nga energjia diellore. Centralet fotovoltaike prodhuan mbi 230 mijë MWh gjatë katërmujorit, duke përfaqësuar rreth 5,2% të prodhimit neto vendas.

Pjesa më e madhe e këtij prodhimi u sigurua nga impiantet e lidhura në rrjetin e transmetimit, çka tregon se rritja e sektorit po mbështetet kryesisht nga projektet e mëdha fotovoltaike dhe jo nga prodhimi i shpërndarë.

/ekofin.al

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com