KEDS ka njoftuar se kushtet e rënduara atmosferike kanë shkaktuar dëme në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, duke sjellë ndërprerje të përkohshme të furnizimit në disa zona të Kosovës.
Sipas kompanisë, erërat e forta, të shoqëruara me reshje intensive shiu dhe breshër, kanë ndikuar drejtpërdrejt në stabilitetin e sistemit të shpërndarjes.
“Për shkak të kushteve të jashtëzakonshme atmosferike, ekipet tona janë të angazhuara me të gjitha kapacitetet në terren. Po punohet me intensitet të shtuar për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga moti i rënduar dhe rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike në zonat më të prekura”, thuhet në njoftimin e KEDS.
Kompania bën të ditur se ekipet e mirëmbajtjes janë mobilizuar në numër të shtuar dhe po monitorojnë vazhdimisht gjendjen në terren, me qëllim reagimin e menjëhershëm ndaj çdo avarie dhe rikthimin e furnizimit sa më shpejt që të jetë e mundur.
KEDS u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim gjatë zhvillimit të punimeve, duke theksuar se ekipet do të vazhdojnë të punojnë deri në normalizimin e plotë të situatës.



