Home / Lajme / Rrjeti elektrik / Vizitë në Vallac, KOSTT dhe partnerët diskutojnë sigurinë energjetike dhe zhvillimin e rrjetit

Vizitë në Vallac, KOSTT dhe partnerët diskutojnë sigurinë energjetike dhe zhvillimin e rrjetit

Përfaqësues të Ambasadës së Gjermanisë, Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare kanë vizituar nënstacionin Vallac të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT sh.a., ku janë njohur me funksionimin e infrastrukturës së transmetimit, sfidat operative dhe planet zhvillimore të operatorit, njofton Energy Monitor.

Delegacioni, i kryesuar nga i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher, dhe Shefi i Bashkëpunimit për Zhvillim, Daniel Alker, përfshinte gjithashtu përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadës së Francës, Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW).

Delegacioni u mirëprit nga Zëvendëskryeshefi Ekzekutiv i KOSTT-it, Shaban Neziri, dhe ekipi i tij, të cilët prezantuan funksionimin e nënstacionit Vallac në Komunën e Zveçanit, gjendjen e infrastrukturës ekzistuese, sfidat operative dhe objektivat për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të transmetimit.

Ambasada Gjermane përcjell se vizita ishte një mundësi për të parë nga afër rëndësinë e infrastrukturës së qëndrueshme energjetike, duke theksuar se siguria e furnizimit me energji elektrike kërkon jo vetëm prodhim, por edhe rrjet të fuqishëm dhe modern, përcjell Energy Monitor.

Sipas Ambasadës, përmes financimeve të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), Gjermania po mbështet modernizimin dhe zgjerimin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë. Këto investime synojnë forcimin e sigurisë së furnizimit, krijimin e kushteve për integrimin e burimeve të energjisë së ripërtëritshme dhe avancimin e integrimit energjetik rajonal.

KOSTT ka theksuar vazhdimisht se zhvillimi i infrastrukturës së transmetimit është një komponent kyç për funksionimin e sigurt të sistemit energjetik, veçanërisht në një periudhë kur Kosova po rrit kapacitetet e reja nga burimet e ripërtëritshme dhe po zhvillon tregun energjetik.

Vizita në Vallac, sipas KOSTT-it, rikonfirmon rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në modernizimin e rrjetit të transmetimit, rritjen e sigurisë energjetike dhe mbështetjen e tranzicionit energjetik të Kosovës.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com