Home / Lajme / Tjera / Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron mot me shi, breshër dhe erëra të forta

Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron mot me shi, breshër dhe erëra të forta

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar mot të ligë për tërë ditën e mërkurë, 22.07.2026. Sipas IHMK-së, i tërë vendi do të përballet me mot me reshje intensive shiu, breshër, erëra të forta me karakter stuhish.

Disa nga pasojat që mund të vijnë, sipas IHMK-së, janë: rreziku i lartë nga goditjet e rrufesë, me pasoja të mundshme për njerëzit dhe kafshët; dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike; pengesa në sistemet e telekomunikacionit; përmbytje të shpejta lokale në zonat me reshje intensive; dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore, veçanërisht nga breshri dhe erërat e forta si dhe rritje të rrezikut për ndezjen e zjarreve si pasojë e shkarkimeve atmosferike.

Instituti u sugjeron qytetarëve të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive; të mos strehohen nën pemë të vetmuara, pranë shtyllave elektrike ose objekteve metalike; të mbrojnë automjetet dhe pronën nga breshri dhe erërat e forta; të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të dukshmërisë së reduktuar dhe rrugëve të rrëshqitshme. Po ashtu t’i ndjekin njoftimet dhe udhëzimet e institucioneve kompetente deri në përfundimin e periudhës së paralajmërimit.

Ndryshe, një person i moshës 61-vjeçare ka vdekur në Pozheran të Vitisë pas lëndimeve në kokë të pësuara pasi është rrëzuar në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij.

Policia dyshon se kjo ka ndodhur si pasojë e motit të ligë.

Policia njoftoi gjithashtu se edhe dy burra nga i njëjti fshat kanë pësuar lëndime të lehta trupore si pasojë e rrëzimit të dyerve hyrëse të oborrit të tyre.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com