Për bizneset, energjia nuk përfaqëson më vetëm një kosto operative, por po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një vendim strategjik. Ky ishte mesazhi kryesor i një vizite të zhvilluar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV) në kompaninë ELEN ENERGY, së bashku me Zëvendësshefin e Misionit të Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher.
Sipas KDWV-së, gjatë vizitës u diskutua se si kompanitë mund të zvogëlojnë varësinë nga burimet konvencionale të energjisë, të rrisin efikasitetin dhe të investojnë në infrastrukturë të qëndrueshme afatgjatë, transmeton Energy Monitor.
ELEN ENERGY, me mbi 34 vjet përvojë, zhvillon dhe zbaton sisteme të energjisë diellore, mikrorrjete (microgrids), sisteme të ruajtjes së energjisë me bateri (BESS), instalime elektrike dhe zgjidhje për elektromobilitet. Kompania menaxhon projektet nga planifikimi dhe projektimi deri te instalimi dhe operimi afatgjatë, duke mbështetur klientë në Kosovë dhe në vendet e Evropës Juglindore, përcjell Energy Monitor.
Gjatë vizitës u prezantua edhe portofoli rajonal i kompanisë, i cili përfshin projekte të energjisë diellore në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe ekspertiza teknike për realizimin e projekteve energjetike në shkallë të ndryshme.
Sipas KDWV-së, diskutimet nuk u kufizuan vetëm te teknologjia, por edhe te përfitimet që investimet në energjinë e ripërtëritshme mund të sjellin për bizneset, përfshirë rritjen e parashikueshmërisë, uljen e kostove operative, forcimin e konkurrueshmërisë dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim me partnerë gjermanë dhe ndërkombëtarë.



