Projekti i interkoneksionit energjetik 400 kV ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut po avancon drejt përfundimit, me punimet në nënstacionin 400 kV të Ohrit që kanë hyrë në fazën e testimeve teknike dhe operacionale.
Drejtori i operatorit maqedonas të transmetimit të energjisë MEPSO, Burim Latifi, ka bërë të ditur se pas përfundimit të montimit të pajisjeve kryesore dhe ndihmëse, kanë nisur procedurat e testimit që përbëjnë një nga hapat e fundit para vënies në funksion të nënstacionit.
Sipas tij, nënstacioni i Ohrit përbën një komponent kyç të projektit, i cili synon të krijojë një lidhje të re transmetimi ndërmjet dy sistemeve elektroenergjetike dhe të rrisë kapacitetet për shkëmbimin e energjisë mes dy vendeve.
Paralelisht, po vijojnë punimet edhe në pjesën kryesore të linjës së transmetimit 400 kV Manastir–Elbasan. Latifi ka njoftuar se ka filluar instalimi i shtyllave të linjës, ndërsa disa prej tyre tashmë janë vendosur përgjatë trasesë së projektit.
Interkoneksioni Shqipëri–Maqedoni e Veriut është një nga projektet kryesore të zhvillimit të infrastrukturës energjetike në rajon dhe pjesë e përpjekjeve për forcimin e lidhjeve ndërkufitare dhe integrimin e tregjeve të energjisë në Ballkanin Perëndimor.
Projekti lidhet gjithashtu me zhvillimin e Korridorit 8, i cili përveç lidhjeve rrugore dhe hekurudhore, përfshin edhe komponentin energjetik përmes krijimit të një infrastrukture më të integruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe tregut evropian të energjisë.
Sipas përfaqësuesve politikë të VLEN, realizimi i këtij projekti pritet të kontribuojë në rritjen e sigurisë së furnizimit, stabilitetin e rrjetit të transmetimit, mundësitë për shkëmbime energjetike dhe integrimin më të madh të tregut rajonal me atë evropian.
Projekti është shoqëruar edhe me debate politike lidhur me procedurat e zbatimit. Opozita maqedonase, përmes BDI-së, ka ngritur më herët kritika për vendimet e MEPSO-s lidhur me kontratat për realizimin e punimeve, përfshirë çështjen e garancisë bankare dhe kontratën e re me kompaninë kroate Dalekovod.
Megjithatë, sipas drejtuesve të MEPSO-s, punimet aktuale po avancojnë dhe projekti po hyn në fazën përfundimtare të realizimit.



