Home / Lajme / Kosova / Mbahet sesioni informues për Skemën e Granteve për Energji të Pastër – Faza 2

Mbahet sesioni informues për Skemën e Granteve për Energji të Pastër – Faza 2

Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor (LuxDev), ka organizuar sesion informues për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme lidhur me Skemën e Granteve për Energji të Pastër – Faza II.

Gjatë sesionit, bizneset u informuan për kriteret e aplikimit, dokumentacionin e nevojshëm dhe procedurat për përfitimin e mbështetjes financiare në kuadër të skemës, e cila ka në dispozicion 880 mijë euro për investime në energji të pastër dhe efiçiencë të energjisë.

Skema përfshin tri masa kryesore mbështetëse: instalimin e sistemeve solare dhe baterive për ruajtjen e energjisë elektrike, masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve, si dhe pajisjet që ndihmojnë në uljen e konsumit të energjisë në linjat e prodhimit, përcjell Energy Monitor.

Bizneset mund të përfitojnë deri në 20 mijë euro për secilën masë individuale, ndërsa kombinimi i masave për energji solare ose efiçiencë me masën për reduktimin e konsumit në prodhim mund të mbështetet deri në 25 mijë euro gjithsej.

Të drejtë aplikimi kanë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në sektorët e prodhimit dhe përpunimit, si dhe kompanitë që operojnë në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.

Thirrja për aplikim mbetet e hapur deri më 27 korrik 2026, ndërsa aplikimi realizohet përmes platformës eKosova.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com