Sipas vlerësimeve të Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), nëse tarifat e energjisë elektrike vazhdojnë të shtrenjtohen, ndërsa pagat mbesin të pandryshuara, vendi mund të përballet me nivelin e varfërisë energjetike.
Në tryezën e diskutimit në kuadër të projektit “Varfëria energjetike në Kosovë II’, të organizuar INDEP-i drejtori ekzekutiv i këtij Instituti, Burim Ejupi, tha se Kosova është në kufi të varfërisë energjetike, për shkak të shtrenjtimit të tarifave të rrymës. Siç tha ai nëse tarifat e energjisë elektrike vazhdojnë të shtrenjtohen ndërsa pagat mbesin të pandryshuara, vendi mund të përballet me nivelin e varfërisë energjetike të vitit 2007.
Përfaqësuesi i Heinrich-Böll-Stiftung, Granit Gashi tha se qëllimi i tyre është të shtyhen përpara kornizat të cilat do të mundësonin tranzicionin energjetik për Kosovën.
Ndërkaq, në kuadër të panelit të diskutimit me temën “Komunitetet e Energjisë për Zbutje të Varfërisë dhe Tranzicion Gjithëpërfshirës”, Besiana Qorraj Berisha nga Ministria e Ekonomisë tha se roli i tyre është hartimi i politikave dhe baza e bashkësive të energjisë.
Ajo potencoi se Strategjia e Energjisë së Republikës së Kosovës për periudhën 2022–2031 përfshin ndër objektivat kyç promovimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
Ekspertja për Zhvillim të Kapaciteteve, Lindita Daija, tha se në aspektin e legjislacionit, Kosova tashmë është në një stad të avancuar. Megjithatë, sipas saj, mbetet ende punë për t’u bërë në legjislacionin sekondar, veçanërisht sa i përket organizimit të komiteteve dhe përcaktimit të hapave më konkretë për mënyrën se si duhet të zhvillohet ky organizim.
Ndërkaq, Ekspertja e Burimeve të Energjisë, Zanfina Kabashi, u shpreh se Kosova ka potencial për shumë lloje të burimeve të energjisë së ripertëritshme.