Home / Lajme / Rajoni / Rama: Energjia e gjelbër do t’i japë Shqipërisë avantazh të rëndësishëm strategjik

Rama: Energjia e gjelbër do t’i japë Shqipërisë avantazh të rëndësishëm strategjik

Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se Shqipëria do të ketë sovranitet energjetik brenda këtij mandati qeverisës.

Në nisje të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama informoi mbi pjesëmarrjen në Javën e Qëndrueshmërisë 2026 në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Në një prej paneleve, së bashku me Kryeministrin e Malit të Zi, ne iu përgjigjëm një sërë pyetjesh që shprehnin interesimin, pikërisht, për përpjekjet që po bëjmë në sensin e zhvillimit të qëndrueshëm, të rritjes së kapaciteteve energjetike dhe, patjetër, edhe në sensin e shfrytëzimit maksimal të teknologjisë, si një instrument shumë i rëndësishëm në funksion edhe të procesit të anëtarësimit”, informoi Rama.

Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin trilateral mes Emirateve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Italisë, ku Shqipëria ka një rol kyç, si vendi ku do të krijohet një kapacitet gjenerimi i energjisë së gjelbër.

Rama tha se përmes kabllit nënujor që do të lidhë Shqipërinë me Italinë, kjo energji do të transmetohet në Itali dhe në vende të tjera, duke i dhënë Shqipërisë një avantazh të rëndësishëm strategjik.

“Por më e rëndësishmja, kam përcjellë edhe një mesazh për të cilin unë personalisht, po edhe e gjithë shumica jonë qeverisëse, ka krenarinë të jetë bartëse – Shqipëria sovrane në energji. Pasi, sipas programit dhe sipas të gjitha hapave që po i hedhim mbi planin e detajuar për këtë program, Shqipëria do të ketë sovranitet energjetik brenda këtij mandati të qeverisë sonë, mandatit të 83 mandateve”, tha Rama.