Home / Lajme / Rajoni / Karakaçi: Linja hekurudhore Tiranë–Durrës do të elektrifikohet plotësisht deri në fund të vitit 2027

Karakaçi: Linja hekurudhore Tiranë–Durrës do të elektrifikohet plotësisht deri në fund të vitit 2027

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë, Enea Karakaçi, prezantoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huasë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila do të financojë elektrifikimin e linjës hekurudhore Tiranë–Durrës dhe degëzimin drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.

Sipas ministrit, marrëveshja përmbyll paketën financiare të projektit më të madh hekurudhor të realizuar në Shqipëri në dekadat e fundit dhe do të mundësojë ndërtimin e infrastrukturës energjetike, elektrifikimin e plotë të linjës dhe certifikimin sipas standardeve të Bashkimit Evropian, transmeton Energy Monitor.

Karakaçi bëri të ditur se punimet civile kanë përfunduar, ndërsa sistemet e sinjalizimit janë drejt finalizimit. Me miratimin e marrëveshjes do të nisë faza e elektrifikimit të linjës.

“Me këtë financim bëhet i mundur elektrifikimi i plotë i linjës, ndërtimi i infrastrukturës energjetike dhe certifikimi sipas standardeve të Bashkimit Evropian, duke sjellë për herë të parë një shërbim modern hekurudhor me trena elektrikë”, deklaroi ministri.

Ai shtoi se objektivi është që deri në fund të vitit 2027 qytetarët të kenë në dispozicion një linjë moderne, të sigurt dhe plotësisht elektrike ndërmjet Tiranës, Durrësit dhe Aeroportit “Nënë Tereza”.

Ministri njoftoi gjithashtu se qeveria po avancon edhe projekte të tjera në sektorin hekurudhor, përfshirë zgjatimin e linjës drejt stacionit qendror të Tiranës, rikonstruksionin e segmentit Vorë–Shkodër–Hani i Hotit, rehabilitimin e linjës Durrës–Rrogozhinë dhe përgatitjen e projektit për vazhdimin e saj deri në Pogradec.

Sipas Karakaçit, ndër projektet strategjike mbetet edhe hekurudha Durrës–Prishtinë, për të cilën institucionet shqiptare po punojnë për sigurimin e financimit.

Ministri u bëri thirrje deputetëve të mbështesin projektligjin, duke e cilësuar elektrifikimin e hekurudhës si një investim strategjik që do të modernizojë transportin hekurudhor dhe do ta afrojë Shqipërinë me rrjetin evropian të transportit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com