Home / Lajme / Kosova / Shoqata Rajonale e Rregullatorëve të Energjisë vlerëson reformën e ZRRE-së për mbështetjen e energjisë së ripërtëritshme

Shoqata Rajonale e Rregullatorëve të Energjisë vlerëson reformën e ZRRE-së për mbështetjen e energjisë së ripërtëritshme

Edicioni më i fundit i “Regulatory Story of the Quarter” nga Shoqata Rajonale e Rregullatorëve të Energjisë (ERRA) sjell një përmbledhje të detajuar të reformës së skemës së mbështetjes për energjinë e ripërtëritshme në Kosovë, të udhëhequr nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.

Reforma synon të adresojë sfidat që lidhen me liberalizimin e tregut të energjisë, rritjen e kapaciteteve nga burimet e ripërtëritshme, përdorimin e ankandeve për skemat mbështetëse, si dhe kompleksitetin në rritje të zbatimit të kontratave për diferencë (CfD).

Reforma e ZRRE-së: nga tarifat fikse drejt një mekanizmi financiar të qëndrueshëm

Raporti i ERRA-s vlerëson se reforma e ndërmarrë nga ZRRE përfaqëson një ndryshim strukturor në mënyrën se si mbështetet energjia e ripërtëritshme në Kosovë.

Më parë, skema mbështetej kryesisht tek tarifat fikse (feed-in tariffs) dhe çmimet referente, ku kompania e energjisë përfitonte për çdo kilovat të prodhuar. Ky model funksiononte mirë kur burimet e ripërtëritshme ishin të pakta dhe furnizuesi kryesor dominonte tregun, përcjell Energy Monitor.

Me rritjen e kapaciteteve diellore, liberalizimin e tregut dhe përdorimin e ankandeve me Kontrata për Diferencë (CfD), ky sistem u bë më i ndjeshëm ndaj mungesës së likuiditetit dhe rreziqeve financiare.

Për këtë arsye, ZRRE ka krijuar një strukturë të veçantë brenda KOSTT-it – Operatorin për Energji të Ripërtëritshme (REO) – i cili menaxhon të gjitha instrumentet mbështetëse si një palë e vetme financiare.

REO administron kontratat ekzistuese me tarifa fikse, skemat e reja me CfD dhe kompensimet për prodhuesit e vegjël të energjisë (prosumatorët). Energjia e mbështetur shitet në tregun ditor të organizuar, ndërsa të ardhurat nga shitjet dhe marrëveshjet CfD përdoren direkt për të mbuluar kostot e skemës, duke rritur transparencën dhe integrimin me tregun, përcjell Energy Monitor.

Fondi për Energji të Ripërtëritshme: një mekanizëm financiar i konsoliduar

Një element kyç i reformës është transformimi i Fondit për Energji të Ripërtëritshme në një mekanizëm financiar të plotë, me menaxhim të qartë të flukseve monetare, pagesa mujore ndaj furnizuesve dhe mjete për sigurimin e likuiditetit.

ZRRE ka parashikuar linja kreditore afatshkurtra ose krijimin e një rezerve likuiditeti për të shmangur mungesat sezonale të parasë, që mund të ndodhin edhe kur fondi është i balancuar në bazë vjetore. Sipas ERRA-s, ky menaxhim i likuiditetit është i domosdoshëm për besueshmërinë dhe “bankabilitetin” e investimeve të reja në energji të ripërtëritshme, njofton Energy Monitor.

Raporti trajton gjithashtu integrimin e prosumatorëve në treg. Në vend që kostot e skemave net-metering dhe net-billing të mbeten barrë e fshehur për furnizuesit e tjerë, është vendosur një mekanizëm financiar simetrik ndërmjet REO-s dhe furnizuesve, me shlyerje mujore të diferencave. Kjo ruan neutralitetin e tregut dhe forcon konkurrencën.

Mbështetje transparente dhe e qëndrueshme

ERRA vlerëson se reforma në Kosovë përfaqëson një zhvendosje konceptuale: mbështetja për energjinë e ripërtëritshme nuk është më një shtesë tarifore statike, por një infrastrukturë tregu me llogari të ndara, rregulla financiare të qarta, mbikëqyrje rregullatore dhe integrim të plotë me tregun me shumicë.

Ky model mund të shërbejë si shembull për rregullatorët në rajon, duke ofruar një qasje të qëndrueshme dhe të përshtatur për rritjen e përdorimit të energjisë së ripërtëritshme dhe kompleksitetin e skemave mbështetëse.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com