Kompania greke e energjisë PPC Group dhe kompania industriale dhe energjetike Metlen Energy & Metals kanë nënshkruar një marrëveshje për krijimin e një ndërmarrjeje të përbashkët që do të zhvillojë projekte të mëdha të ruajtjes së energjisë me bateri (BESS) në Bullgari, Rumani dhe Itali.
Sipas njoftimit të kompanive, portofoli i projekteve pritet të arrijë deri në 1,500 MW kapacitet të instaluar dhe rreth 3,000 MWh kapacitet ruajtjeje, ndërsa rreth 1,000 MW synohet të realizohen brenda 12 muajve të ardhshëm.
Ndërmarrja e re do të jetë në pronësi të barabartë të dy kompanive, me nga 50% të aksioneve për secilën palë. PPC do të kontribuojë me përvojën e saj në zhvillimin dhe operimin e projekteve energjetike në rajon, ndërsa Metlen do të sjellë ekspertizën në projektimin dhe ndërtimin e infrastrukturës energjetike.
Projektet do të përdorin bateri me teknologji lithium iron phosphate (LFP) me sistem ftohjeje me lëng dhe kohë ruajtjeje rreth dy orë. Instalimet pritet të vendosen pranë parqeve të energjisë diellore dhe të erës, me qëllim ruajtjen e energjisë së tepërt të prodhuar dhe furnizimin e rrjetit në periudhat kur prodhimi nga burimet e energjisë së ripërtëritshme është më i ulët.
Sipas kompanive, këto projekte do të kontribuojnë në rritjen e fleksibilitetit të sistemeve elektroenergjetike, stabilizimin e rrjetit dhe integrimin më efikas të energjisë nga burimet e ripërtëritshme në tregjet e Evropës Juglindore.
PPC Group është një nga kompanitë më të mëdha energjetike në rajon, me rreth 12.5 GW kapacitet të instaluar, prej të cilave 6.4 GW janë kapacitete të energjisë së ripërtëritshme, dhe operon në disa tregje të Evropës Juglindore duke furnizuar miliona konsumatorë.
Në një kohë kur prodhimi nga burimet e energjisë së ripërtëritshme po rritet me shpejtësi në Evropë, investimet në sistemet e ruajtjes së energjisë po konsiderohen gjithnjë e më shumë si element kyç për integrimin e tyre në sistem dhe për garantimin e stabilitetit të furnizimit me energji.



