Home / Lajme / Kosova / Hovenier: Kosova duhet të avancojë vendimmarrjen për energjinë dhe projektet e LNG në Ballkan, “vëmendja e Uashingtonit nuk është e pafund”

Hovenier: Kosova duhet të avancojë vendimmarrjen për energjinë dhe projektet e LNG në Ballkan, “vëmendja e Uashingtonit nuk është e pafund”

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se energjia është një nga fushat ku Kosova duhet të avancojë më shpejt vendimmarrjen dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hovenier tha se administrata amerikane ka shprehur interes për përfshirjen e Kosovës në iniciativat rajonale të energjisë, me fokus të veçantë në projektet që lidhen me gazin natyror të lëngshëm (LNG).

Sipas tij, Kosova duhet të shfrytëzojë mundësitë për bashkëpunim energjetik me SHBA-në, pasi “vëmendja e Uashingtonit nuk është e pafund”. Hovenier vlerësoi se mungesa e vendimmarrjes dhe e institucioneve të plota mund ta vështirësojë avancimin e projekteve strategjike në sektorin energjetik.

“Është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë që ofrohen dhe të mos shpenzohet shumë kohë duke u menduar apo reflektuar, por, përkundrazi, të përpiqesh të gjesh fusha të përbashkëta bashkëpunimi dhe përparimi”, tha Hovenier.

Ai rikujtoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së kanë kaluar një periudhë më të vështirë dhe se mungesa e Dialogut Strategjik ndërmjet dy vendeve është një nga pasojat konkrete të kësaj situate.

LNG-ja amerikane dhe infrastruktura rajonale

Hovenier përmendi se projektet e LNG-së janë bërë një element i rëndësishëm i zhvillimeve energjetike në Ballkanin Perëndimor, ndërsa vendet e rajonit po punojnë për të diversifikuar burimet e furnizimit dhe për të forcuar sigurinë energjetike.

Ai tha se SHBA-ja dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje energjetike me disa vende të rajonit, përfshirë Shqipërinë, Kroacinë dhe Bosnje e Hercegovinën, me synim zhvillimin e infrastrukturës energjetike dhe uljen e varësisë nga burimet tradicionale të furnizimit, përcjell Energy Monitor.

“Administrata Trump e ka bërë të qartë se ky është një prioritet i saj”, tha Hovenier, duke shtuar se përfshirja në këto iniciativa do të ishte pjesë e diskutimeve më të gjera për bashkëpunimin energjetik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Sipas tij, vendet fqinje të Kosovës tashmë janë pjesë e disa kornizave të bashkëpunimit me SHBA-në që përfshijnë LNG-në amerikane si pjesë të infrastrukturës energjetike rajonale.

“Është e vështirë të kuptohet pse Kosova do të ishte një rast kaq i ndryshëm, nëse kjo ka kuptim për Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kroacinë dhe vendet e tjera të rajonit”, tha Hovenier.

Vendimmarrja energjetike kërkon institucione funksionale

Sipas ish-ambasadorit amerikan, projektet energjetike kërkojnë politika të qëndrueshme dhe vendimmarrje afatgjatë, pasi investimet në këtë sektor ndikojnë në sigurinë energjetike të një vendi për shumë vite.

Ai theksoi se një qeveri funksionale është e nevojshme për të zhvilluar politika energjetike, për të komunikuar me partnerët ndërkombëtarë dhe për të marrë vendime strategjike.

“Për të ecur përpara duhen politika qeveritare”, tha Hovenier.

Kosova aktualisht është duke diskutuar alternativa për diversifikimin e burimeve energjetike, përfshirë zhvillimin e burimeve të energjisë së ripërtëritshme, forcimin e rrjetit energjetik dhe mundësitë për lidhje të reja rajonale energjetike.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com