Kompania kosovare ElektroStublla L.L.C. po merr pjesë si ekspozuese në panairin prestigjioz ndërkombëtar Hannover Messe 2026, që mbahet në Hannover të Gjermanisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme globale në fushën e energjisë industrisës , robotikës dhe automatizimit.
Në këtë panair, ElektroStublla prezanton prodhimet dhe zgjidhjet e saj teknologjike, duke përfaqësuar kapacitetet industriale dhe inxhinierike të Kosovës në një platformë ku marrin pjesë kompani dhe profesionistë nga e gjithë bota.
Pjesëmarrja e kompanisë në këtë event të rëndësishëm realizohet me mbështetjen e Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të cilat përmes programeve të tyre mbështetëse kanë mbuluar një pjesë të shpenzimeve për pjesëmarrjen e kompanive kosovare në panaire ndërkombëtare, me qëllim promovimin e produkteve dhe industrisë vendore në tregjet ndërkombëtare.
Gjatë panairit, ElektroStublla do të prezantojë prodhimet dhe zgjidhjet e saj për sektorin elektroenergjetik dhe industrial, duke përfshirë komponentë dhe sisteme të përdorura në infrastrukturën elektrike dhe projektet energjetike.
Vizitorët dhe partnerët e interesuar mund ta vizitojnë kompaninë në ‘hall 11, stand: E56‘.
Pjesëmarrja në Hannover Messe 2026 paraqet një mundësi të rëndësishme për prezantimin e produkteve të ElektroStublla në tregun ndërkombëtar, krijimin e partneriteteve të reja dhe zgjerimin e bashkëpunimit me kompani dhe investitorë nga Evropa dhe më gjerë.
ElektroStublla është një kompani me përvojë shumëvjeçare në sektorin elektroenergjetik dhe industrial, e fokusuar në zhvillimin e zgjidhjeve moderne dhe konkurruese për tregun vendor dhe ndërkombëtar.



