KOSTT dhe MEPSO formalizuan bashkëpunimin për realizimin e njërës prej projekteve më strategjike në sektorin e energjisë, përmes nënshkrimit të Memorandumit për ndërtimin e linjës interkonektive 400kV Prizren–Tetovë.
Nënshkrimi i Memorandumit nga u.d. Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, z. Shaban Neziri, dhe Drejtori Gjeneral i MEPSO-s, z. Burim Latifi, përfaqëson një hap kyç drejt fuqizimit të ndërlidhjes energjetike mes dy vendeve. Ky projekt strategjik, i harmonizuar edhe me planet e ENTSO‑E, do të mundësojë rritjen e kapaciteteve të transmetimit, përmirësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit, si dhe zgjerimin e mundësive për tregtim më efikas të energjisë në rajon.
Përveç përfitimeve teknike e ekonomike, kjo linjë e re do t’i japë shtysë integrimit të burimeve të ripërtëritshme dhe përshpejtimit të tranzicionit të gjelbër, duke kontribuar në përmbushjen e objektivave afatgjata për energji të qëndrueshme.
Me nënshkrimin e këtij Memorandumi, KOSTT dhe MEPSO konfirmojnë angazhimin e përbashkët për bashkëpunim të ngushtë teknik dhe institucional, për realizimin e suksesshëm të këtij projekti kyç për stabilitetin energjetik të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe gjithë rajonit.