Për Shqipërinë përafrimi me standardet mjedisore të Bashkimit Evropian mbetet një ndër sfidat më të mëdha në rrugën drejt anëtarësimit. Në këtë përpjekje Gjermania është një nga partnerët më aktivë të Shqipërisë.
Kapitulli 27 i negociatave, që përfshin fusha si menaxhimi i mbetjeve, ujërat e ndotura, energjia dhe mbrojtja e klimës, kërkon investime të mëdha në infrastrukturë, si dhe përgatitje të administratës për zbatim të ligjeve evropiane.
Në këtë përpjekje Gjermania është një nga partnerët më aktivë të Shqipërisë, përmes projekteve të financuara nga Banka gjermane për Zhvillim, KfW, dhe agjencia për bashkëpunim GIZ, në koordinim me Bashkimin Evropian. Rreth 70% e mbështetjes financiare gjermanefokusohet në sektorin energjetik, ndërsa 30% në zhvillimin e qëndrueshëm urban, përfshirë trajtimin e mbetjeve, riciklimin dhe infrastrukturën mjedisore në nivel lokal.
“Objektivat e zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës duhet të kombinohen dhe të zhvillohen përmes një dialogu gjithëpërfshirës, edhe në kuadër të procesit të integrimit në BE” – u shpreh ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner. “Këto janë kërkesa themelore për shumë kapituj që do të negociohen” – shtoi ai.
Investime për një mjedis më të pastër
Prej vitesh mbetjet urbane në jug të Shqipërisë janë burim ndotjeje dhe shqetësimi për komunitetin lokal. Në Vlorë, një nga destinacionet më të frekuentuara turistike gjatë verës, është vënë së fundmi në funksion landfilli i ri në Sherishtë, një investim prej 25 milionë eurosh, nga të cilat 12 milionë në formën e një kredie nga Banka gjermane për Zhvillim KfW dhe pjesa tjetër grant.
Ky landfilli është projektuar të përballojë deri në 600 ton mbetje në ditë gjatë sezonit turistik dhe pritet të zëvendësojë depon ekzistuese, e cila shpesh është përballur me zjarre.
“Jam i lumtur që me punën që ka bërë bashkia dhe sigurisht në bashkëpunim të plotë me Ambasadën Gjermane dhe KfW, arritëm të bëjmë të mundur vënien në funksion të qelizës së parë të deponisë së mbeturinave” – thotë kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.
Po në jug të vendit, në Orikum, është drejt përfundimit një tjetër investim i mbështetur nga qeveria gjermane: impianti i ri për trajtimin e ujërave të zeza, me një vlerë prej 5.3 milionë euro. Objektivi është që nga muaji shtator, ai të vihet në funksion dhe t’u shërbejë rreth 53 mijë banorëve të zonës.
Model alternativ për menaxhimin e mbetjeve
Ndryshe nga zonat urbane, në Roskovec po eksperimentohet një model alternativ për menaxhimin e mbetjeve, në përputhje me parimet e ekonomisë qarkulluese. Mbetjet organike të tregut të frutave dhe perimeve, që më parë përfundonin në landfille, tani përpunohen në një qendër të vogël kompostimi dhe kthehen në pleh për tokat bujqësore.
Nisma është pjesë e projektit “Bashkimi Evropian për ekonominë qarkulluese dhe qytete të jetueshme” (EU4CELC).
Energjia në qendër të mbështetjes gjermane
Energjia elektrike është sektori ku përqendrohet pjesa më e madhe e mbështetjes gjermane për Shqipërinë. Një nga projektet më strategjike është ndërtimi i linjës 400 kV Shqipëri – Maqedoni e Veriut, me një vlerë të përgjithshme prej 67.5 milionë euro. Projekti, i zbatuar në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe OST, përfshin ndërtimin e një linje të re prej rreth 130 kilometrash në territorin shqiptar, dhe pritet të përfundojë brenda këtij viti.
“Këto investime i ndihmojnë qëndrueshmërisë ekonomike të Shqipërisë” – thotë ambasadori gjerman në Tiranë.
Linja synon të rrisë sigurinë energjetike, të ulë humbjet në rrjet dhe të mundësojë shkëmbime të balancuara me vendet fqinje, si pjesë e integrimit të Shqipërisë në tregun evropian të energjisë.
“Ky projekt do të thotë siguri nga ana energjetike, siguri në sistemin energjetik, por edhe jemi të lidhur me të gjithë fqinjët” – tha Dorjan Sejamini, drejtor për projektet e jashtme në OST.
Partneritet afatgjatë, jo vetëm në infrastrukturë
Përveç investimeve në infrastrukturë, partneriteti gjerman në Shqipëri synon të forcojë edhe kapacitetet administrative dhe teknike. Sipas ambasadorit gjerman në Tiranë, kjo ka rëndësi thelbësore për të siguruar që këto projekte të mbeten funksionale dhe të qëndrueshme edhe pas përfundimit të mbështetjes ndërkombëtare.
“Ky është një mësim që kemi nxjerrë nga vende të tjera: është e domosdoshme të forcohen kapacitetet lokale që të jenë në gjendje të menaxhojnë projektet, pasi gjermanët të tërhiqen” – tha ambasadori Bergner. Ai theksoi se mbështetja do të vazhdojë, veçanërisht në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke përfshirë mundësi të reja si partneritetet administrative, për të ndihmuar Shqipërinë në zbatimin efektiv të legjislacionit të BE-së. “Ne do të fokusohemi veçanërisht në çështjet e ngritura, për shembull, në raportin e fundit të progresit të BE-së, në fushat e të ashtuquajturave “themelet”, që janë: sundimi i ligjit, qeverisja e mirë dhe lufta kundër korrupsionit” – shtoi më tej ambasadori.
Gjermania mbetet jo vetëm partneri më i vjetër i bashkëpunimit financiar me Shqipërinë që prej vitit 1988, por edhe donatori bilateral me kontributin më të madh. Deri më sot investimet arrijnë në rreth 1.2 miliardë euro, nga të cilat mbi 400 milionë vetëm në dekadën e fundit. “Kjo është një tjetër dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm dhe serioz të Gjermanisë” – thotë ambasadori Karl Bergner.