Home / Lajme / Tjera / Raporti i Deutsche Bank 2025 – sa shpenzojnë evropianët për faturat e rrymës, ujit dhe mbeturinave?

Raporti i Deutsche Bank 2025 – sa shpenzojnë evropianët për faturat e rrymës, ujit dhe mbeturinave?

Kostot mujore për shërbimet bazë si energjia elektrike, uji, ngrohja dhe mbeturinat ndryshojnë ndjeshëm nga një qytet në tjetrin në Evropë. Sipas raportit “Hartografia e Çmimeve Botërore” të Deutsche Bank për vitin 2025, qytetet evropiane dominojnë listën e 20 vendeve më të shtrenjta në botë për shërbime bazë, ndërsa vetëm dy qytete jo-evropiane arrijnë të futen në këtë listë.

Në krye qëndron Mynihu, ku fatura mesatare mujore për një apartament 85m2 arrin në 370 euro. Ai pasohet nga Edinburgu me 346 euro dhe qytetet gjermane Frankfurt (339 euro) dhe Berlin (333 euro). Gjermania konfirmohet si vendi më i shtrenjtë në Evropë për shërbimet bazë. Po ashtu, qytete të tjerë të shtrenjta janë Varshava (327 euro), Vjena (304 euro), dhe Amsterdami (275 euro).

Në krahun tjetër të spektrit, qyteti më i lirë në Evropë për shërbimet bazë është Stambolli me vetëm 68 euro në muaj, ndjekur nga Helsinki (115 euro), Budapesti dhe Lisbona (të dyja me 135 euro). Në Evropën Jugore, çmimet janë gjithashtu më të ulëta: 170 euro në Barcelonë, 180 euro në Madrid dhe rreth 200 euro në qytetet italiane Milano dhe Romë.

Raporti gjithashtu vëren rritje të ndjeshme të çmimeve gjatë pesë viteve të fundit. Stokholmi ka përjetuar një rritje prej 176%, Oslo 133%, ndërsa rritja tejkalon 90% në qytete si Varshava, Bruksel, Birmingham dhe Edinburg. Vetëm Budapesti dhe Kopenhageni kanë parë ulje të çmimeve në këtë periudhë.

Kostoja e shërbimeve nuk është vetëm çështje shume, por edhe përqindje e pagës. Në qytetet si Athina dhe Varshava, shpenzimet për shërbime konsumojnë deri në 18.8% dhe 17.6% të pagës neto mesatare, ndërsa në qytete me paga më të larta si Gjeneva dhe Cyrihu kjo përqindje është vetëm 3.2–3.3%.

Në rang global, Manila mban rekordin me 25.9% të pagës të shpenzuar për shërbimet bazë, ndërsa Montreali është më i lirë në raport me të ardhurat (2.6%).

Sipas Euronews Business, ndryshimet në çmimet e shërbimeve burojnë nga strategjitë e energjisë, subvencionet, burimet e prodhimit dhe ndërhyrjet shtetërore, ndërsa krizat gjeopolitike si pushtimi rus i Ukrainës kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e tyre.

Për qytetarët europianë, këto dallime tregojnë qartë se vendbanimi ndikon fort në përballueshmërinë e jetesës.

/SYRI.net