Home / Lajme / Efiçiencë / Për çdo 1 dollar që investohet në efiçiencë energjetike, përfitimi ekonomik është 3 deri në 5 dollarë

Për çdo 1 dollar që investohet në efiçiencë energjetike, përfitimi ekonomik është 3 deri në 5 dollarë

Banka Botërore sapo publikoi një raport që thekson rëndësinë e efiçiencës energjetike si mënyrën më të shpejtë dhe më të leverdishme për të përmirësuar sigurinë energjetike, për të ulur emetimet e gazrave dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik.

Sipas këtij raporti, për çdo 1 dollar që investohet në masat për eficiencë energjetike, përfitimi ekonomik është 3 deri në 5 dollarë. Megjithatë, raporti tregon se më shumë se dy të tretat e energjisë që prodhohet në botë humbet para se të arrijë tek përdoruesi final, sidomos në vendet në zhvillim.

Përmirësimi i eficiencës së energjisë ndihmon të ulen kostot për qeveritë dhe qytetarët, përmirëson shërbimet publike si ndriçimi, ngrohja dhe transporti, dhe i ndalon investimet e panevojshme në ndërtimin e centraleve të reja të energjisë.

Raporti vë në dukje edhe përfitimet sociale. Në vitin 2022, sektori i eficiencës energjetike ishte burimi më i madh i vendeve të punës në industrinë globale të energjisë, me rreth 11 milionë persona të punësuar në fusha si projektimi, ndërtimi, instalimi dhe mirëmbajtja e masave për kursim energjie.

Megjithatë, përhapja e këtyre masave pengohet nga mungesa e politikave të qarta, investimeve të pamjaftueshme dhe vëmendjes së ulët institucionale. Për këtë arsye, Banka Botërore rekomandon krijimin e institucioneve të specializuara, ofrimin e paketave mbështetëse për sektorin privat dhe bashkëpunimin me institucionet financiare për të nxitur përdorimin e teknologjive të përballueshme dhe efikase.

Në përfundim, raporti nënvizon se energjia më e lirë dhe më e pastër është ajo që thjesht nuk harxhohet, pra energjia që kurshet. Kjo është zgjidhja më e mirë dhe më e qëndrueshme për të ardhmen energjetike të botës.