Një studim i udhëhequr nga King’s College London ka zbuluar se panelet diellore të vendosura në hapësirë mund të ulin deri në 80% nevojën e Evropës për energji të rinovueshme tokësore, duke reduktuar njëkohësisht kostot e sistemit energjetik me deri në 15%.
Sipas modelit të detajuar kompjuterik që përfshiu 33 vende evropiane, përdorimi i këtyre paneleve do të zvogëlonte gjithashtu nevojën për bateri me më shumë se dy të tretat.
Këto panele funksionojnë përmes një dizajni të zhvilluar nga NASA, të ngjashëm me heliostatët, pasqyra që fokusojnë rrezet e diellit në orbitë dhe i transmetojnë ato drejt Tokës, ku më pas shndërrohen në energji elektrike për rrjetin energjetik.
Dr. Wei He, autori kryesor i studimit, paralajmëroi se sfidat hapësinore si grumbullimi i satelitëve apo dëmtimet nga mbeturinat kozmike, mund të pengojnë funksionimin e sistemit. Megjithatë, ai theksoi potencialin e madh të SBSP (Space-Based Solar Power) për të ndihmuar vendet të arrijnë objektivat për zero emetime.
“Energjia e rinovueshme që zëvendëson karburantet fosile është veprimi më i rëndësishëm që po ndërmarrim si njerëz. Panelet diellore hapësinore mund të ofrojnë energji të qëndrueshme dhe të pandërprerë”, tha dr. He.
Studimi thekson se kjo teknologji mund të bëhet ekonomikisht e realizueshme vetëm pas vitit 2050, pasi aktualisht kostot e ndërtimit, nisjes dhe mirëmbajtjes mbeten shumë të larta. Japonia tashmë ka nisur zhvillimin dhe integrimin e saj në strategjinë kombëtare hapësinore dhe të net-zero.
/Motilokal.com