Debati për vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) lidhur me daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë ka hyrë në fazën e përballjes ligjore. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kanë ndërmarrë hapa paralelë për ta kundërshtuar këtë vendim në instanca të ndryshme gjyqësore.
PDK ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar anulimin e vendimit të ZRrE-së. Sipas partisë, ky vendim është i padrejtë dhe cënon si interesin publik, ashtu edhe të drejtat e bizneseve dhe qytetarëve. PDK thekson se vendimi nuk është në përputhje me ligjin për energjinë elektrike dhe bie ndesh me të drejtat kushtetuese të konsumatorëve.
Në anën tjetër, Oda Ekonomike e Kosovës ka dorëzuar kërkesëpadi në Gjykatën Supreme kundër ZRrE-së. Përmes këtij veprimi, OEK synon mbrojtjen e bizneseve, të ekonomisë së vendit dhe, siç thuhet në njoftim, mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës si konsumatorë të fundit. OEK ka theksuar se ka besim se drejtësia do të vendoset në favor të bizneseve dhe interesit publik të vendit.
Me këtë zhvillim, çështja e liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë pritet të zgjidhet në gjykata, teksa vendimet e tyre do të jenë përcaktuese për drejtimin që do të marrë tregu dhe ndikimin e tij në ekonomi e konsumatorë.