Home / Lajme / Efiçiencë / Drenasi përfiton nga masat e efiçiencës së energjisë në banesat sociale

Drenasi përfiton nga masat e efiçiencës së energjisë në banesat sociale

Banorët e Qendrës së Banimit Social në Drenas së shpejti do të jetojnë në kushte më të mira dhe më efikase në aspektin e energjisë, falë projektit që po realizohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) në bashkëpunim me Komunën e Drenasit.

Ky investim është pjesë e një programi më të gjerë, që përfshin gjithsej 28 ndërtesa shumë-banesore sociale në 13 komuna të Kosovës, duke sjellë komoditet më të lartë dhe ulje të kostove të energjisë për familjet përfituese.

Financimi i projektit mbështetet kryesisht nga granti i Bashkimit Evropian (90%), i siguruar përmes Qeverisë së Kosovës, ndërsa 10% e buxhetit mbulohet nga bashkëfinancimi i komunave përkatëse.

Punimet në Drenas po shkojnë drejt përfundimit dhe përfshijnë termoizolimin e fasadave, ndërrimin e dritareve e dyerve, përmirësimin e sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimit, instalimin e ndriçimit të ri dhe renovimin e hapësirave të brendshme. Projekti parashikon gjithashtu vendosjen e interfonëve, kondicionerëve për ngrohje dhe ftohje, si dhe rregullimin e oborrit dhe hapësirave përreth ndërtesës.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, theksoi se ky projekt është rezultat i memorandumit të nënshkruar me FKEE dhe përfaqëson një shembull konkret të investimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.