Me një fond në vlerë prej mbi gjysmë milioni eurosh, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në Shqipëri ka hapur tenderin për instalimin e matësave inteligjentë për 415 fiderat e nënstacioneve elektrike ekzistues.
Projekti parashikon zëvendësimin e pajisjeve aktuale me matësa të gjeneratës së fundit, të cilët ofrojnë matje të sakta, transmetim në kohë reale drejt sistemeve qendrore të kontrollit apo monitorimit dhe besueshmëri të lartë komunikimi.
Sipas OSSH, qëllimi i investmit është rritja e efikasitetit operacional të rrjetit, faturim i saktë e i paanshëm për konsumatorët dhe ulje e humbjeve teknike dhe joteknike. Po ashtu, ky investim do të shërbejë si bazë për menaxhim modern të rrjetit elektrik, në përputhje me kërkesat e tregut energjetik dhe direktivat e BE-së, si dhe përgatit integrimin e ardhshëm në sistemet inteligjente të rrjetit (Smart Grid).
Investime të ngjashme janë ndërmarrë edhe më herët. Ndër të tjera, vitin që shkoi u firmos kontrata e financimit me Bankën Gjermane për Zhvillim – KfW, në kuadër të projektit “Programi i Investimeve për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike I”, që kishte si qëllim rikonstruksionin e nënstacioneve, si dhe adaptimin për të operuar apo manovruar online, përmes sistemit SCADA. Sipas OSHEE, investime të tilla sjellin avantazhe për klientët e të gjitha kategorive, pasi evitojnë apo parandalon avaritë që mund të vijnë nga ngarkesat në rrjetin elektrik, si dhe reduktojnë kohën e manovrimit në objekt, pasi veprimet kryhen në distancë.
/monitor.al