Delegacion zyrtar nga Kosova viziton Austrinë për shkëmbim përvoja në fushën e energjisë së qëndrueshme.
Në Ambasadën e Kosovës në Austri u mirëprit një delegacion zyrtar nga Kosova në kuadër të një vizite studimore, e fokusuar në praktikat dhe politikat e energjisë së qëndrueshme, përcjell albinfo.at.
Delegacioni përbëhej nga përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, sektorit publik dhe privat, si dhe organizatave të shoqërisë civile. Gjatë vizitës u diskutuan kornizat ligjore, politikat dhe rregulloret që lidhen me tranzicionin energjetik, duke theksuar rëndësinë e adoptimit të zgjidhjeve gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për Kosovën.
Pjesë e programit ishin takime me institucione kyçe austriake, përfshirë Ministrinë për Çështje Ekonomike dhe Energjisë, Zyrën e Rregullatorit të Energjisë dhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë. Këto kontakte shërbyen për të shkëmbyer praktika të mira dhe përvoja që mund të kontribuojnë në avancimin e sektorit energjetik kosovar.
Vizita nënvizon përpjekjet e Kosovës për të fuqizuar zgjidhjet e qëndrueshme në energji dhe për të integruar eksperiencat ndërkombëtare në politikat dhe projektet e saj të ardhshme. /Albinfo.at