Gjatë Konferencës së Investimeve BE-Mali i Zi, u nënshkruan 14 memorandume bashkëpunimi midis kompanive malazeze dhe atyre evropiane, duke përfshirë projekte për energji diellore, eolike, ruajtje energjie dhe përmirësimin e rrjeteve elektrike.
Konferenca, me temën “Rritje e zgjuar, të ardhme e gjelbër: Accelerimi i investimeve në Mal të Zi”, u hap në Luštica pranë Tivatit, në prani të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajić.
Në këtë konferencë, EPCG (Elektroprivreda Crne Gore) nënshkroi memorandume bashkëpunimi me kompaninë Akuo për zhvillimin e projekteve të energjisë së rinovueshme, duke përfshirë impiante diellore lundruese dhe sisteme të ruajtjes së energjisë. Një marrëveshje tjetër u arrit me SS&A Power Group për prodhimin dhe instalimin e sistemeve të ruajtjes termike të energjisë, ndërsa me Wind Fisher u nënshkrua një memorandum për përdorimin e teknologjive të avancuara të gjenerimit të energjisë eolike në lartësi të mëdha.
Kompania Alcazar Energy nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me zyrën e menaxhimit të projekteve të qeverisë për zhvillimin dhe financimin e projekteve të energjisë së rinovueshme. Po ashtu, CWP Europe dhe Agjencia e Investimeve të Malit të Zi diskutuan dhe nënshkruan marrëveshje për zhvillimin e fermës diellore Montečevo me sistem ruajtjeje me bateri, ndërsa Čevo Solar së bashku me Grawert Jenny & Partner fokusohen në zhvillimin e sistemeve BESS me kapacitet 20 MW/60 MWh.
Ministria e Energjisë dhe Minierave dhe kompania franceze EDF diskutojnë modernizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë, ndërsa Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe banka Erste do të bashkëpunojnë për një program rajonal të efikasitetit të energjisë, duke përfshirë edhe menaxhimin e ujërave të zeza në bashkëpunim me Suez dhe Agjencinë e Investimeve të Malit të Zi.
Gjithashtu, në kuadër të qëndrueshmërisë, u nënshkruan marrëveshje për projekte si Farm2Fork Montenegro, Station M, Green Logistics Hub i cili synon të bëhet porti i parë net-zero në Adriatik, dhe Northern Investments Compact for Ecology & Resilience (NICER), që lidhet me kalimin e drejtë të sektorit energjetik dhe mjedisor në rajon.
Presidentja von der Leyen theksoi rëndësinë e investimeve të hershme, duke i bërë thirrje investitorëve që të mos presin anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian për të investuar, pasi vendi ofron mundësi strategjike dhe projekte të gjelbra e të qëndrueshme. Ky zhvillim është gjithashtu i rëndësishëm për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit, pasi forcon bashkëpunimin rajonal në sektorin e energjisë dhe mund të përmirësojë sigurinë e furnizimit me energji elektrike.
/photo Bojan Gnjidić/Qeveria e Malit të Zi



