Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) që në janar të këtij viti kishte hapur tenderin për rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3 në Termocentralin Kosova A. Vlera e parashikuar është 137 milionë e 340 mijë euro.
Si plot tenderë të tjerë edhe këtë tender KEK-u e ka procesuar si procedurë konkurruese me negociata.
Ndërkohë, tash gati pas një viti, pas pezullimit të tij, KEK-u ka publikuar operatorët ekonomikë që kanë ofertuar për rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3 në Termocentralin Kosova A.
Në këtë tender kanë aplikuar pesë operatorë ekononikë, ndërsa KEK-u ka përzgjedhur vetëm tre prej tyre për fazën tjetër të tenderimit.
Operatorët ekonomikë të përzgjedhur për ngeociata janë: LIMAK INŞAAT SANAYI ve TICARET A.Ş., Grup i Operatorëve Ekonomik KEPCO Plant Service & Engineering Co., LTD; DYPNF Co., Ltd.; BHI CO., Ltd., si dhe Grup i Operatorëve Ekonomik HIB PETROL SH.P.K.; Florian Viqa; NTPC Limited.

Ky tender ishte pezulluar pas ankesës së një operatori ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit në muajin korrik 2025.
Çka do të investohet?
KEK-u në njoftimin për kontratë kishte thënë se me këtë investim, qëllimi është zgjatja e jetëgjatësisë së kësaj njësie edhe për 20 vjet, marrë parasysh që është lëshuar në funksion që nga viti 1970.
Në dosjen e tenderit janë renditur arsyet pse nevojitet rehabilitimi dhe modernizimi i kësaj njësie, teksa theksohet se qëllimi kryesor është zgjatja e jetëgjatësisë së kësaj njësie edhe për 20 vjet.
“Qëllimi/objektivi kryesor i këtij modernizimi është të zgjasë jetëgjatësinë funksionale të impiantit për një periudhë të tjera 20-vjeçare”, thuhet në dosje.
“Rehabilitimi i Njësisë A3 në Termocentralin Kosova A është një hap vendimtar drejt modernizimit dhe optimizimit të performancës së tij. Projekti do të rrisë efikasitetin, do të përmirësojë pajtueshmërinë mjedisore dhe do të zgjasë jetëgjatësinë operative të njësisë. Duke investuar në rehabilitimin e Njësisë A3, Termocentrali Kosova A do të kontribuojë në një të ardhme të qëndrueshme energjetike, duke përmbushur kërkesat në rritje për energji të rajonit duke minimizuar ndikimin mjedisor”, theksohet në dokument.
Pjesët që do të rehabilitohen janë kaldaja, turbina, gjeneratorët, transformatorët dhe sistemet e kontrollit.



