Home / Lajme / Kosova / OEK për vendimin e Gjykatës Supreme: Fitore për bizneset kosovare dhe tregun e energjisë

OEK për vendimin e Gjykatës Supreme: Fitore për bizneset kosovare dhe tregun e energjisë

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme, e cila ka konstatuar si të paligjshme disa dispozita të akteve nënligjore të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Vendimi prek Nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike (2017) dhe Nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e këtij udhëzuesi (2018).

Sipas OEK-së, ky vendim hap rrugën për një treg më të drejtë dhe transparent të energjisë, duke mbrojtur interesat e bizneseve dhe konsumatorëve jo-familjarë, veçanërisht për faturimin e qershorit 2025 dhe kontratat individuale pas datës 1 qershor 2025.

OEK thekson se mbetet e përkushtuar për të siguruar konkurrencë të ndershme dhe funksionim të rregullt të tregut të energjisë. Organizata do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e vendimit dhe të angazhohet në krijimin e rregulloreve të reja në përputhje me ligjin, duke garantuar që bizneset të operojnë në kushte të barabarta dhe transparente.

Ky vendim shihet si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të klimës së biznesit në sektorin e energjisë dhe një mesazh për nevojën e rishikimit të rregulloreve që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e tregut.