Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë (KESCO) u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve për kursim të energjisë elektrike dhe bashkëpunim, në një periudhë kur konsumi ka shënuar rritje të ndjeshme dhe sistemi energjetik po operon nën ngarkesë të lartë.
Sipas KESCO-s, stabiliteti i furnizimit me energji elektrike është jetik jo vetëm për jetën e përditshme të qytetarëve, por edhe për funksionimin e proceseve të rëndësishme në vend, përfshirë edhe zgjedhjet nacionale.
Kompania bën të ditur se aktualisht po operon me kapacitete të shtuara, veçanërisht në Qendrën e Thirrjeve, me qëllim që t’u përgjigjet kërkesave dhe ankesave të konsumatorëve. Megjithatë, në raste të ndërprerjeve më të mëdha, numri i thirrjeve rritet ndjeshëm, ndaj KESCO kërkon mirëkuptim nga qytetarët për kohën e pritjes.
Në kuadër të kësaj situate, KESCO ka dhënë disa rekomandime konkrete për qytetarët, me qëllim të uljes së ngarkesës në sistem.
Nga KESCO theksojnë se veprimet e vogla individuale mund të kenë ndikim të madh në stabilizimin e furnizimit me energji elektrike për të gjithë konsumatorët.
“Të kursejmë energjinë elektrike, të shmangim përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë njëkohësisht, të përdorim ngrohjen elektrike me moderim, duke ngrohur vetëm hapësirat ku qëndrojmë, të mbajmë temperaturën rreth 20–21°C”- thuhet bë njoftimin e datës 27.12.2025.
Zyra e Rregullatorit për Energji më 24.12.2025 ka zhvilluar një takim me kompanitë kryesore të licencuara në sektorin e energjisë, me qëllim të vlerësimit të sigurisë së furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së fundvitit, kur konsumi shënon rritje të ndjeshme.
Zonat si Prizreni, Rahoveci, Gjilani e Shtimja janë duke u përballur me kufizime të energjisë elektrike për shkak të mungesës së kapaciteteve të transmisionit.
Kështu është deklaruar në një konferencë për media nga Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe KESCO, më 24.12.2025.



