Home / Lajme / Kosova / KEDS-i thotë se për 10 vite është rritur për mbi 53% ngarkesa maksimale vjetore në rrjet

KEDS-i thotë se për 10 vite është rritur për mbi 53% ngarkesa maksimale vjetore në rrjet

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka thënë se që nga vitit 2015, për 10 vite, ngarkesa maksimale vjetore (Pmax) në rrjet është rritur me 53.22%

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, KEDS-i ka thënë se në vitin 2015 ngarkesa maksimale ka qenë 964MW, ndërsa në vitin 2025 kjo ka arritur në 1,477 MW.

Sipas KEDS-it, kjo tregon se përmes investimeve të realizuara është rritur kapaciteti pritës i rrjetit, si dhe është arritur që të akomodohet gjithë rritja e ngarkesës gjatë këtyre viteve.

“Bazuar në trendin dhe krahasimin me vitin 2015, Pmax është rritur për 53.22% , nga 964 MW në vitin 2015 në 1,477 MW në vitin 2025. Kjo tregon se KEDS, përmes investimeve të realizuara , ka rritur kapacitetin pritës të rrjetit dhe ka arritur të akomodojë mbi 53.22% të rritjes së ngarkesës gjatë këtyre viteve” – thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Në ndërkohë, përmes një konference të mbajtur gjatë javës së kaluar me 24.12.2025 KEDS dhe KESCO bën të ditur se zonat si Prizreni, Rahoveci, Gjilani dhe Shtimja janë përballur me kufizime të energjisë elektrike, sipas tyre, për shkak të mungesës së kapaciteteve të transmisionit.

Sipas zëdhënëses së KEDS-it, Bleona Dallaveraj, piku më i lartë i regjistruar i konsumit në dhjetor ka qenë 1,365 MËh, shifër kjo e cila është për 6% më e lartë se konsumi në këtë kohë gjatë vitit të kaluar.