Qeveria e Malit të Zi ka miratuar vendimet dhe udhëzimet e nevojshme për shpalljen e një ankandi publik për projekte fotovoltaike me kapacitet jo më të vogël se 400 kW.
Ankandi synon të mbështesë prodhimin e energjisë elektrike nga burime të ripërtrithme të energjisë përmes mekanizmit të subvencionimit të çmimit të tregut, të njohura si “market premiums”.
Në këtë ankand, pjesëmarrësit do të konkurrojnë për një kuotë totale prej 250 MW, me çmimin maksimal konkurrues prej 65 euro për MWh.
Kontratave do t’u jepet një periudhë 12-vjeçare, duke përdorur llojin e kontratave me diferencë (CfD), një instrument që garanton një çmim të caktuar për prodhuesin e energjisë dhe mbulon pjesen apo diferencën në rast se çmimi i tregut është më i ulët ose më i lartë se çmimi i garantuar.
Në përputhje me Agjendën e Reformës të Malit të Zi 2024–2027, ky ankand është një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së angazhimeve të Malit të Zi ndaj Bashkimit Evropian. Ai është gjithashtu një kusht për miratimin e një financimi deri në 383 milionë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Mjetet e Reformës dhe Rritjes (RGF). Ky fond përfshin 110 milionë euro grante nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe kredi me kushte shumë të favorshme për buxhetin shtetëror.
Nëse ndonjë projekt i kualifikuar nuk arrin të përfitojë nga kuota e caktuar, ai mund të kalojë në ankandin e ardhshëm.
Gjithashtu, Komisioni përgjegjës për ankandin ka mundësinë të zgjasë kuotën deri në 50 MW shtesë, nëse kjo është e nevojshme për të përfshirë një projekt të tërë që ka hyrë pjesërisht në kuotë ose disa projekte të tilla me oferta të barabarta.
Ky proces është pjesë e angazhimeve të Malit të Zi për të zhvilluar një treg të energjisë të qëndrueshëm dhe të pastruar, duke kontribuar në objektivat rajonale dhe evropiane për energjinë e rinovueshme dhe neutralitetin e karbonit.
/Photo by Denis Ismailaj on Unsplash



