Home / Njoftime / KESCO nuk nominon mjaftueshëm rrymë, KOSTT fillon reduktimet për të ruajtur sigurinë e sistemit

KESCO nuk nominon mjaftueshëm rrymë, KOSTT fillon reduktimet për të ruajtur sigurinë e sistemit

KOSTT njofton opinionin publik se, si rezultat i nominimeve të pamjaftueshme të energjisë elektrike nga KESCO për mbulimin e nevojave të konsumit, më 13 dhe 14 janar 2026, Zona e Kontrollit e KOSTT-it është duke operuar me jo balanca të mëdha dhe të vazhdueshme, të cilat në orë të caktuara tejkalojnë mbi 200 MW.

KOSTT, në përputhje me rolin e tij si operator i sistemit dhe i tregut, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilizimin e sistemit, përfshirë aktivizimin e shërbimeve ndihmëse të balancimit si dhe organizimin e ankandeve brendaditore për balancimin e sistemit. Megjithatë, për shkak të diferencës jashtëzakonisht të madhe ndërmjet nominimeve dhe konsumit real, masat e ndërmarra nuk kanë qenë të mjaftueshme për të eliminuar jo balancat në nivelin e krijuar.

Këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikim të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E.

Në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit, KOSTT është i detyruar të aplikojë kufizimin e ngarkesës (reduktime), sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative.

Me përmirësimin e situatës dhe stabilizimin e balancimit, KOSTT do të ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme për stabilizim të sistemit.