Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po shqyrton një investim kapital deri në 150 milionë euro në fondin Alcazar Energy Partners III, një fond investimesh i kompanisë Alcazar Energy.
Sipas njoftimit, fondi synon zhvillimin e një portofoli të diversifikuar projektesh në energji të ripërtëritshme, kryesisht në Evropën Juglindore dhe Lindore, si dhe në rajonin e Mesdheut Lindor.
Investimi i BERZH-it pritet të ndihmojë në mbylljen fillestare të fondit dhe në arritjen e objektivit prej rreth 850 milionë euro kapital total.
Fondet do të përdoren për zhvillimin e projekteve të reja në energji diellore dhe të erës, duke kontribuar në tranzicionin e gjelbër dhe rritjen e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme në vendet ku operon kompania.
Bordi i BERZH-it pritet të marrë vendim për këtë investim më 28 maj 2026.



