Home / Lajme / Ndërkombëtare / Greqia nënshkruan marrëveshjen për fillimin e shpimeve për “Bllokun 2” në Jon, vlerësohet deri në 270 miliardë metra kub gaz natyror

Greqia nënshkruan marrëveshjen për fillimin e shpimeve për “Bllokun 2” në Jon, vlerësohet deri në 270 miliardë metra kub gaz natyror

Një hap të rëndësishëm ka hedhur sot Greqia për projektin e kërkimit të hidrokarbureve në “Bllokun 2”, në veriperëndim të Jonit, pasi u firmos kontrata që hap rrugën për shpimin e parë kërkimor në det të hapur pas më shumë se 40 vitesh.

Korrespondenti i Top Channel Aleksandër Marku, marrëveshja u nënshkrua mes kompanisë greke Energean, që është operatori i projektit, dhe kompanisë suedeze Stena Drilling, e cila do të sjellë në Greqi anije e specializuar për kërkime dhe shpime Stena DrillMAX.

Shpimi është planifikuar të nisë në shkurt të vitit 2027 dhe do të zgjasë rreth 60 ditë, deri në prill. Sipas vlerësimeve të kompanisë Energean, zona mund të përmbajë deri në 270 miliardë metra kub gaz natyror, ekuivalente me rreth 5 miliardë fuçi nafte. Vetë kompania e vlerëson mundësinë e suksesit të shpimit në rreth 16%, përqindje që konsiderohet normale për industrinë.

Shpimi do të kryhet në një thellësi prej 4 mijë e 622 metrash nën tokë dhe në ujëra me thellësi 840 metra. Kostoja e operacionit llogaritet mes 60 dhe 68 milionë eurove, ndërsa rezultatet e para pritet të bëhen të ditura më 21 prill 2027.

Sipas ministrit grek të Energjisë, Stavros Papastavrou, Greqia kalon nga teoria në praktikë në sektorin e hidrokarbureve dhe nëse konfirmohet ekzistenca e një rezerve të shfrytëzueshme tregtare, ajo do të fitojë avantazhe të rëndësishme energjetike dhe gjeopolitike, do të rrisë vetë-mjaftueshmërinë energjetike dhe do të përfitojë të ardhura të konsiderueshme, pasi të paktën 40% e fitimeve do të shkojnë për shtetin.

Në rast se shpimi rezulton i suksesshëm, projekti do të kalojë më pas në duart e kolosit amerikan ExxonMobil, i cili do të marrë përsipër zhvillimin e mëtejshëm të shpimeve.

Prodhimi i gazit mund të nisë brenda 3 deri në 4 vitesh, përmes një investimi total që mund të kalojë 5 miliardë euro.

Në projekt marrin pjesë edhe HELLENiQ Energy dhe kompania amerikane ExxonMobil, ndërsa autoritetet greke shohin sinergji edhe me gazsjellësit TAP dhe Poseidon.

Blloku 2 ndodhet në veriperëndim të Jonit, rreth 30 kilometra në perëndim të Κοrfuzit dhe pranë kufirit detar mes Greqisë dhe Italisë.

Ajo është një zonë shumë e madhe, rreth 2.400 km katrorë, me thellësi uji nga 500 deri në 1.500 metra. Pikërisht aty pritet të kryhet shpimi “Asopos-1” në vitin 2027.

/Top Channel

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com