Home / Lajme / Kosova / Hoti: LVV e kundërshtoi marrëveshjen për gazin amerikan – sot Kosova importon energji

Hoti: LVV e kundërshtoi marrëveshjen për gazin amerikan – sot Kosova importon energji

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka rikujtuar Marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit amerikan Donald Trump, e cila, sipas tij, parashihte ndërtimin e rrjetit dhe një centrali energjetik me gaz amerikan.

“Marrëveshja parashihte ndërtimin e rrjetit dhe centralit me gaz amerikan, i cili do të ishte komplementar me termocentralet ekzistuese dhe do të prodhonte energji kur kërkesa nuk mbulohej nga ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’”, ka deklaruar Hoti.

Sipas tij, ky projekt do ta bënte Kosovën energjetikisht të pavarur për të paktën dy dekada, duke krijuar hapësirë për investime të tjera në kapacitete nga burime të ndryshme, përfshirë energjinë e ripërtëritshme dhe projekte hidroenergjetike me Shqipërinë.

Hoti ka thënë se marrëveshja nuk u respektua nga Qeveria që erdhi në pushtet në mars 2021, duke shtuar se si pasojë “sot Kosova importon qindra miliona euro energji elektrike në vit, përmes kontratave që kanë ngritur shumë dyshime në publik”.

Ai ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington kishte kundërshtuar projektin, duke e konsideruar të dëmshëm dhe duke dorëzuar rreth 10 kërkesa për interpelancë në Kuvend.

“Sipas tyre, kjo marrëveshje ishte e dëmshme për Kosovën dhe e quanin Shtëpinë e Bardhë me terma të papranueshëm, duke injoruar vendimet që lidhen me pavarësinë e vendit”, ka thënë Hoti.

Në një reagim të përsëritur, ai ka shtuar se kundërshtimi i këtij projekti ka pasur për qëllim, siç u shpreh ai, “pamundësimin e pavarësisë energjetike të Kosovës”.

“Kushdo që ka kontribuar në këtë drejtim duhet të mbajë përgjegjësi publike. Një kërkim falje publike do të ishte hapi i parë në drejtimin e duhur”, ka deklaruar Hoti.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com