Këshilli i Ministrave ka miratuar ndërtimin e dy centraleve të reja gjeneruese të energjisë elektrike fotovoltaike në bashkinë Fier, me një kapacitet total të instaluar prej 140 megavatësh, në kuadër të rritjes së prodhimit nga burimet e ripërtëritshme në Shqipëri.
Sipas vendimeve, projektet nuk janë objekt koncesioni dhe nuk përfitojnë nga masa mbështetëse shtetërore. Ato do të zhvillohen nga kompani private dhe pritet të përfundojnë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimeve, ndërsa afati i operimit është 49 vjet.
Centrali i parë do të ndërtohet nga shoqëria “FOS SOLAR” sh.p.k. në zonën kadastrale 3038, në fshatin Povelçë të njësisë administrative Dërmenas, me kapacitet të instaluar prej 40 MW, transmeton Energy Monitor.
Ndërsa centrali i dytë do të realizohet nga “EURON SOLAR-PV” sh.p.k., në fshatrat Fushë dhe Povelçë të bashkisë Fier, me një kapacitet prej 100 MW.
Sipas vendimit, shoqëritë zbatuese kanë detyrim të raportojnë periodikisht për ecurinë e punimeve, të respektojnë kushtet mjedisore dhe të depozitojnë një garanci kontrate në masën jo më pak se 5% të investimit. Gjithashtu, ato do t’i japin shtetit 2% të prodhimit vjetor të energjisë ose ekuivalentin monetar.
Fieri, epiqendër në rritje e projekteve energjetike
Miratimi i këtyre investimeve vjen në një moment kur Fieri po konsolidohet si një nga zonat më aktive për zhvillimin e projekteve fotovoltaike në Shqipëri.
Në vitet e fundit, në këtë rajon janë miratuar dhe zhvilluar disa projekte të mëdha energjetike diellore, përfshirë dy centralet e fundit me kapacitet total prej 140 megavatësh, një tjetër 128 megavatësh, si dhe një investim të miratuar më herët me vlerë rreth 1.2 milionë euro. Paralelisht, në zonë janë zhvilluar edhe projekte të lidhura me infrastrukturën e gazit natyror në zonën e Semanit, të lidhura me rrjetin e gazsjellësit TAP.
Ky përqendrim i investimeve private e ka kthyer Fierin në një nga zonat kyçe të zgjerimit të energjisë së ripërtëritshme në vend, me një rritje të dukshme të interesit nga investitorët në sektorin solar.
Paralelisht, zhvillimi i projekteve të reja në të njëjtin territor tregon një trend të vazhdueshëm të zgjerimit të kapaciteteve energjetike në jug të Shqipërisë, ku potenciali diellor dhe infrastruktura ekzistuese po e bëjnë zonën gjithnjë e më tërheqëse për investime afatgjata.



