Home / Lajme / Tjera / Lobi i biznesit në Itali: Kostot në rritje të energjisë, “kërcënim ekzistencial” për kompanitë

Lobi i biznesit në Itali: Kostot në rritje të energjisë, “kërcënim ekzistencial” për kompanitë

“Për bizneset, çmimi i energjisë tani është kërcënim i vërtetë ekzistencial”, tha Orsini në fjalimin para kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe presidentit Sergio Mattarella.

Shoqata kryesore e biznesit në Itali, Confindustria, paralajmëroi sot se rritja e kostove të energjisë përbën “kërcënim ekzistencial” për kompanitë, ndërsa bëri thirrje për një marrëveshje të gjerë politike mbi reformat që synojnë rivendosjen e rritjes ekonomike, transmeton Anadolu.

Duke folur në asamblenë vjetore të Confindustria-s në Romë, sipas gazetës së përditshme “La Repubblica”, presidenti i Confindustria-s, Emanuele Orsini tha se çmimet e larta të energjisë janë bërë një nga sfidat më urgjente me të cilat përballet industria italiane dhe kërkoi veprime më të forta qeveritare për të siguruar të ardhmen energjetike të vendit.

“Për bizneset, çmimi i energjisë tani është kërcënim i vërtetë ekzistencial”, tha Orsini në fjalimin para kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe presidentit Sergio Mattarella.

Ndërsa pranoi atë që ai e përshkroi si përpjekje qeveritare për të krijuar një politikë më të balancuar të energjisë, Orsini tha se nevojiten veprime të mëtejshme dhe propozoi një pakt me 5 pika që përfshin të gjitha partitë politike për të ndihmuar në kthimin e Italisë në një rritje ekonomike prej 2 për qind.

Propozimi përqendrohet në reformën energjetike, zgjerimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), kontratat e inovacionit dhe zhvillimit, thjeshtimin rregullator dhe mobilizimin e burimeve të reja të investimit. Orsini mbështeti përshpejtimin e kthimit të Italisë në energjinë bërthamore dhe bëri thirrje për konsensus të gjerë politik mbi këtë çështje.

Ai mbështeti përdorimin më të gjerë të inteligjencës artificiale, përfshirë një strategji kombëtare trajnimi për inteligjencën artificiale që fillon në shkolla dhe shtrihet në të gjithë fuqinë punëtore. Duke iu drejtuar Evropës, Orsini paralajmëroi se Bashkimi Evropian rrezikon një deindustrializim më të thellë nëse shqetësimet për konkurrencën nuk adresohen.

“Brukseli nuk është i qartë se çfarë do të thotë konkurrueshmëria. Që nga fillimi i mandatit të këtij komisioni, Evropa ka humbur 250 mijë vende pune në prodhim, që përkthehet në një milion vende pune më pak në industritë përkatëse”, tha ai.

Orsini thirrje për reforma në Sistemin e Tregtimit të Emetimeve të BE-së (ETS), duke thënë se Evropa ka nevojë për strategji të përbashkët industriale, treg të integruar energjie dhe koordinim më të fortë financiar.

Tensionet rajonale kanë mbetur të larta që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar sulme hakmarrëse nga Teherani kundër Izraelit dhe aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik si dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill dhe më vonë u zgjat për një kohë të pacaktuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

/aa.com.tr

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com