Home / Lajme / Ndërkombëtare / Vala e të nxehtit shkakton ndërprerje të energjisë në Torino 

Vala e të nxehtit shkakton ndërprerje të energjisë në Torino 

Torino po përballet me ndërprerje të përsëritura të energjisë elektrike, ndërsa vala e të nxehtit në Itali po vë nën presion rrjetin energjetik lokal, raportoi AP.

Sipas autoriteteve dhe kompanisë së shërbimeve “Iren”, ndërprerjet kanë prekur disa lagje në ditët e fundit dhe kanë shkaktuar edhe probleme në trafik, për shkak të fikjes së semaforëve.

Kryetari i bashkisë, Stefano Lo Russo, deklaroi se rrjeti elektrik është i vjetër dhe kërkon investime të mëtejshme dhe mirëmbajtje.

Operatori “Iren”, që furnizon rreth 650 000 klientë në Torino, tha se temperaturat e larta dhe rritja e konsumit të energjisë po shkaktojnë mbingarkesë dhe stres termik në kabllo.

Kompania ka paralajmëruar se mund të ketë ndërprerje të herëpashershme të shërbimit, ndërsa theksoi se qyteti nuk është paralizuar.

Autoritetet lokale kanë hapur hapësira publike me ajër të kondicionuar për qytetarët dhe kanë paralajmëruar për rreziqet e temperaturave të larta.

Ndërkohë, operatori “Iren” ka njoftuar një plan investimesh prej 515 milionë euro deri në vitin 2030, për modernizimin e rrjetit elektrik të qytetit.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com