Dhjetëra lagje dhe rrugë të Prishtinës do të përballen me ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike gjatë këtij vikendi, për shkak të punimeve të planifikuara në rrjetin energjetik.
KEDS ka njoftuar se më 30 dhe 31 maj do të realizohen punime të domosdoshme për mirëmbajtje, siguri të sistemit dhe intervenime teknike në disa nënstacione të kryeqytetit, duke prekur një numër të madh konsumatorësh në zona të ndryshme të qytetit.
Pjesa më e madhe e ndërprerjeve pritet të ndodhin të shtunën, më 30 maj, kryesisht nga ora 09:30 deri në 15:30, ku do të preken lagje dhe rrugë të shumta që furnizohen nga nënstacioni “Prishtina 2”.
Ndër zonat e prekura janë Velania, Lagjja e Spitalit, Tophanja, Dardania, Taslixhja, Kolovica, Vreshtat, Mati I, Tauk Bashçe, si dhe pjesë të rrugëve “Agim Ramadani”, “1 Tetori”, “Enver Maloku”, “Muharrem Fejza”, “Isa Kastrati”, “Rrustem Statovci”, “4 llullat”, “Elena Gjika”, “Sylejman Vokshi”, “Bajram Curri” dhe shumë rrugë të tjera, njofton Energy Monitor.
Sipas KEDS-it, shumica e punimeve lidhen me mirëmbajtje preventive dhe mirëmbajtje të nënstacioneve, ndërsa të dielën do të ketë edhe ndërhyrje nga palë të treta dhe punime teknike në rrjetin 20 kV.
Të dielën, më 31 maj, ndërprerje shtesë do të ketë në pjesë të lagjeve Mati I, Lagjja e Spitalit dhe rrugës “Muharrem Fejza”, ku do të realizohen punime për tërheqje kabllosh dhe energjizim të kthina-ve 20 kV.
KEDS u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve të planifikojnë aktivitetet e tyre në përputhje me oraret e paralajmëruara të ndërprerjeve.



