Avni Arifi, përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në “Debat Përnime” për energjinë ka thënë se dy herë sa ka qenë kjo parti në Qeveri ka sjellë projektet më të mëdha për kapacitete energjetike, derisa ka shtuar se ato janë anuluar “në mënyrën më të paskrupullt”.
“Më së pari Kosovën e ka bekuar Perëndia me 14 miliardë tonë thëngjill. Kosova ka mund me qenë superfuqi rajonale për energji. Kanë ardhur Lëvizja Vetëvendosje, e kanë shkatërruar “Contour Global” edhe janë krenuar me atë punë që e kemi demoluar projektin. Në fakt koha kaloi, u qartësua gjithçka dhe u pa që e kanë demoluar qytetarin e Kosovës dhe xhepin e tij. Tre herë është rritur rryma.”- deklaroi ai.
Arifi ka deklaruar se njerëz të pushtetit po lidhen me kompani familjarësh për të blerë e shitur energji elektrike.
Ai ka shtuar se filtrat në KEK në njërin bllok është dashur të vendosen në vitin 2020 kurse në tjetrin në vitin 2021.
“Nuk është vënë kurrë deri tash dhe tash po e bëjnë sepse BE-ja u ka thënë: çfarë po doni me bë me këto pare? Po në këtë kohë është një marrëveshje aty koha, janë rritur çmimet.”- ka thënë Arifi.
Avni Arifi në anën tjetër ka thënë se në Kosovë edhe verës, edhe dimrit, nevojat janë përmbi 700 MW energji elektrike.
“Nëse ne edhe kishim me marrë prej tyre me këto çmime, kishim mund veç me bë pare më shumë se kishim shitur më shumë. Po o njerëz, hajde flasim në themel. Personalisht, politikisht besoj që nëse ka pasur Serbia suksesin më të madh, e ka pasë se e ka parandaluar Kosovën me fituar pavarësinë energjetike. Qysh e ka parandaluar në 2008 dhe në 2019? Shumë njerëz e kanë bërë për shkak të bindjeve që janë kundër karbonit, por që ka qenë një strategji për me e sakatu Kosovën e me e lënë në terr, qysh është në terr ka ndodhur”- tha Arifi.
Avni Arifi i AAK-së ka deklaruar se fillimisht duhet stabilizuar energjia.
“Bashkimi Europian, 100 MW kanë pasur sivjet në 2026, që po thotë Kurti kemi me bë, në 2026 ka pasur me filluar 100 MW. Tash është shtyrë në 2028-ën, nuk bëhet as në 2028-ën. Këta s’e bëjnë, e di pse s’e bëjnë? Sepse me e bë tani blejnë më pak rrymë, e kur blejnë më pak rrymë, humbin pare.”- ka thënë Arifi, derisa ka shtuar se nëse fiton Aleanca kjo do të kryhet më 2028 pa procedura burokratike.
AAK synon që përmes gazifikimit të qymyrit të hyjnë në ombrellën amerikane të furnizimit me energji.
“Aleanca e ka në projekt edhe ndërtimin e një termocentrali të tillë me gaz. Mirëpo siç e përmenda më herët, fokusi kryesor në fillim, ne orientimi jonë fillestar është që të shkojmë me termocentralin me thëngjill.”- ka thënë Arifi.
/kallxo.com



