Home / Lajme / Kosova / Çfarë premtojnë partitë për energjinë? Nga “Kosova e Re” te energjia diellore dhe gazi

Çfarë premtojnë partitë për energjinë? Nga “Kosova e Re” te energjia diellore dhe gazi

Siguria energjetike, kapacitetet e reja prodhuese, energjia e ripërtëritshme dhe gazifikimi ishin në qendër të debatit mes përfaqësuesve të partive politike në emisionin “Debat Përnime”, ku LVV, PDK, LDK dhe AAK prezantuan vizionet e tyre për të ardhmen energjetike të Kosovës.

Përfaqësuesi i LVV-së, Viktor Buzhala, tha se Kosova ka nevojë për kapacitete të reja gjeneruese për të reduktuar varësinë nga importi. Ai theksoi se është duke u zhvilluar rehabilitimi i Termocentralit “Kosova B”, i cili sipas tij do të rrisë kapacitetin prodhues për rreth 20% dhe do t’i zgjasë jetën operative për dy dekada të tjera.

Sipas Buzhalës, në proces është edhe rehabilitimi i njësive A3, A4 dhe A5 të Termocentralit “Kosova A”, ndërsa LVV synon të zhvillojë edhe projektin e gazifikimit të qymyrit, i cili do të mundësonte prodhimin e gazit sintetik dhe ndërtimin e një termocentrali të ri me gaz. Ai shtoi se deri në fund të mandatit synohen 305 MW kapacitete të reja nga era dhe 250 MW nga energjia diellore.

Nga ana tjetër, Lorik Maxhuni nga PDK tha se Kosova po përballet me mungesë kapacitetesh prodhuese dhe se projekti i termocentralit “Kosova e Re” me 500 MW do të kishte ndihmuar në mbulimin e kërkesës vendore. Sipas tij, PDK vazhdon të mbështesë ndërtimin e kapaciteteve të reja me bazë qymyri, zhvillimin e një miniere të re dhe modernizimin afatgjatë të “Kosovës B”.

Janina Ymeri nga LDK vlerësoi se prioritet afatshkurtër duhet të jetë sigurimi i importeve përmes kontratave vjetore, derisa të ndërtohen kapacitete të reja prodhuese. Ajo kërkoi studime të fizibilitetit për rehabilitimin e blloqeve të “Kosovës A” dhe theksoi nevojën për rritjen e energjisë së ripërtëritshme, uljen e humbjeve në rrjet dhe përshpejtimin e procedurave për investitorët.

LDK synon rritjen e prodhimit nga burimet e ripërtëritshme për rreth 30%, ndërsa propozon krijimin e një mekanizmi të centralizuar institucional për përshpejtimin e lejeve dhe autorizimeve për projektet energjetike.

Përfaqësuesi i AAK-së, Avni Arifi, argumentoi se Kosova ka humbur mundësi të rëndësishme për rritjen e kapaciteteve prodhuese pas anulimit të projektit “Kosova e Re”. Ai tha se AAK mbështet ndërtimin e kapaciteteve të reja me bazë qymyri, si dhe zhvillimin e një termocentrali me gaz.

Një nga temat kryesore të debatit ishte edhe gazifikimi. LVV mbështet gazifikimin e qymyrit vendas, ndërsa PDK favorizon lidhjen e Kosovës me rrjetet rajonale të gazit dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja me gaz natyror. LDK kërkon që para çdo vendimi të kryhen studime të detajuara të fizibilitetit për të krahasuar opsionet e gazit të lëngshëm dhe gazifikimit të linjitit. Edhe AAK e sheh gazin si pjesë të miksit energjetik, por me prioritet zhvillimin e kapaciteteve të reja me bazë qymyri.

Debati nxori në pah dallimet e qasjeve mes partive politike, por edhe një pikë të përbashkët: të gjitha subjektet pranojnë se Kosova do të ketë nevojë për investime të konsiderueshme në prodhim, rrjet dhe fleksibilitet energjetik për të reduktuar varësinë nga importi dhe për të garantuar furnizim të qëndrueshëm në vitet e ardhshme.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com