Njësia A3 e Termocentralit “Kosova A” është rikthyer në operim dhe është sinkronizuar me sistemin elektroenergjetik të Kosovës rreth orës 10:00 të mëngjesit, ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Sipas KEK-ut, rikthimi i njësisë është bërë pas sanimit të rrjedhjeve të evidentuara në sistemin gypor të kaldajës dhe përfundimit të aktiviteteve të tjera teknike të nevojshme.
Korporata ka bërë të ditur se njësia aktualisht operon në gjendje stabile dhe se kapacitetet e saj prodhuese janë nominuar tashmë në sistem, duke kontribuar në sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe stabilitetin e sistemit energjetik të vendit.
KEK ka vlerësuar angazhimin e stafit teknik dhe punonjësve të Termocentralit “Kosova A”, të cilët, sipas njoftimit, kanë punuar pa ndërprerje për rikthimin e njësisë në operim, përcjell Energy Monitor.
Paralelisht me operimet e përditshme, korporata ka njoftuar se po vazhdon zbatimin e programit investiv në sektorin energjetik, i cili përfshin modernizimin e njësive B1 dhe B2 në Termocentralin “Kosova B”, avancimin e procedurave për rehabilitimin dhe modernizimin e thellë të njësisë A3, si dhe zhvillimin e projektit të parkut solar me kapacitet prej 100 megavatësh.
Sipas KEK-ut, këto investime synojnë rritjen e efikasitetit të kapaciteteve prodhuese, forcimin e sigurisë energjetike dhe mbështetjen e tranzicionit drejt një sektori energjetik më të qëndrueshëm në Kosovë.



