Kontrata e privatizimit të KEDS-it tashmë është publikuar online nga Ministria e Ekonomisë, duke u bërë lehtësisht e qasshme për publikun.
Njoftimi u rikthye në vëmendje nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila theksoi se dokumenti nuk ka qenë i klasifikuar që nga viti 2021, por se gjatë kësaj periudhe Ministria kishte pranuar vetëm dy kërkesa për qasje në të.
“Kontrata e privatizimit të KEDS-it ka qenë e mbyllur në sef. Qysh në vitin 2021 e kemi hapur, arkivuar dhe e kemi bërë të qasshme për të gjithë. Mirëpo për këtë kemi pasur vetëm dy kërkesa, ndërkohë që shumë njerëz ende mendojnë se është e mbyllur. Prandaj atë tani mund ta gjeni edhe në faqen tonë”, ka deklaruar Rizvanolli, përcjell Energy Monitor.
Përmes publikimit në faqen zyrtare të Ministrisë, dokumenti “Implementation Agreement” është tashmë i disponueshëm për studiuesit, profesionistët e sektorit energjetik, mediat dhe publikun e gjerë.
Dokumenti përmban dispozita që rregullojnë aspektet juridike, financiare dhe operative të procesit të privatizimit të KEDS-it, duke përfshirë obligimet e palëve, trajtimin e rreziqeve, investimet dhe mekanizmat e zbatimit të marrëveshjes.



