Home / Lajme / Tjera / Ish-drejtori i Zyrës së Prokurimit në KEK dënohet me dy vjet burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Ish-drejtori i Zyrës së Prokurimit në KEK dënohet me dy vjet burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Ish-drejtori i Zyrës së Prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Ymer Dragusha, është dënuar me dy vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin ku i akuzuar është edhe ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Aktgjykimi ndaj Dragushës është shpallur të mërkurën, më 8 korrik, pasi ai ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë dhe ka marrë statusin e dëshmitarit bashkëpunues në këtë rast.

Sipas aktakuzës, Dragusha, Krasniqi dhe Isuf Zejna, ky i fundit si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna”, dyshohen se përmes veprimeve të tyre i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej rreth 37 milionë eurosh.

Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë qenë të përfshirë në dhënien e disa tenderëve në mënyrë të kundërligjshme dhe në favorizimin e kompanive të caktuara. Sipas aktakuzës, këto veprime janë kryer me udhëzimet e Nagip Krasniqit.

Në kuadër të rastit janë përfshirë edhe procedura tenderuese me kompani të huaja, përfshirë kompani nga Greqia, për të cilat Prokuroria ka ngritur dyshime për parregullsi në procesin e përzgjedhjes.

Rasti ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, dhe të akuzuarve të tjerë vazhdon të jetë në procedurë gjyqësore.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com