Home / Lajme / Ndërkombëtare / Trump kërcënon të bombardojë ura dhe centrale elektrike nëse Irani nuk rikthehet në bisedime

Trump kërcënon të bombardojë ura dhe centrale elektrike nëse Irani nuk rikthehet në bisedime

Presidenti amerikan paralajmëron sulme ndaj infrastrukturës së Iranit nëse Teherani nuk rikthehet në negociata, ndërsa tensionet ushtarake në Lindjen e Mesme vazhdojnë të përshkallëzohen.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se javën e ardhshme do të godasë urat dhe centralet elektrike të Iranit, nëse Teherani nuk rikthehet në tryezën e negociatave.

Komentet u transmetuan në një intervistë për Fox News, në një kohë kur SHBA-ja dhe Irani po shkëmbenin sulme për të katërtën ditë radhazi.

Trump tha: se “Javën e ardhshme do të bëhet shumë keq për ta. Do t’u shkatërrojmë të gjitha centralet elektrike. Do t’u shkatërrojmë të gjitha urat, nëse nuk ulen në tryezë për të negociuar”.

Ai shtoi se objektivat energjetike do të goditeshin më vonë, por se në fund edhe ato do të ishin në shënjestër.

Bllokada dhe Ngushtica e Hormuzit

Më herët, Trump hoqi dorë nga plani për të vendosur një tarifë prej 20% mbi të gjitha ngarkesat që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se ajo do të zëvendësohej me marrëveshje të mëdha tregtare dhe investimesh me vendet e Gjirit Persik.

Megjithatë, SHBA-të rifilluan bllokadën detare ndaj porteve iraniane, duke synuar të ushtrojë presion ekonomik mbi Iranin.

Sulmet vazhdojnë

Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se kishte nisur një valë të re sulmesh kundër objektivave iraniane që, sipas saj, përdoren për sulme ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Nga ana tjetër, Irani pretendon se ka goditur objekte ushtarake amerikane në Bahrein dhe Jordan, ndërsa më herët kishte sulmuar edhe dy cisterna të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kuvajti njoftoi se mbrojtja ajrore kishte rrëzuar dronë iranianë, ndërsa Bahreini aktivizoi sirenat e alarmit ajror.

Viktima në anijet tregtare

Sipas SHBA-ve, sulmet iraniane ndaj anijeve tregtare kanë shkaktuar viktima mes ekuipazheve civile.

Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se raketat iraniane goditën dy cisterna të tyre, duke vrarë një marinar indian dhe plagosur tetë të tjerë.

Irani deklaroi se anijet kishin shpërfillur paralajmërimet dhe kishin kaluar në një zonë të minuar.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, deklaroi se bllokada amerikane ka shkatërruar marrëveshjen e armëpushimit të arritur më parë.

Ai tha: “Nëse SHBA mendon se me veprime ushtarake dhe bllokadë ekonomike do të na detyrojë të rikthehemi në negociata, gabon”.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, kishte deklaruar më parë se sulmet e qëllimshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile përbëjnë krim lufte sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Përshkallëzimi i konfliktit ka ngadalësuar ndjeshëm trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.

Si pasojë, çmimi i naftës Brent është rritur ndjeshëm, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të shtohen.

/Albanianpost

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com