Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria dhe Irlanda diskutojnë bashkëpunimin në energji, në fokus bateritë dhe energjia e ripërtëritshme

Shqipëria dhe Irlanda diskutojnë bashkëpunimin në energji, në fokus bateritë dhe energjia e ripërtëritshme

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë, Enea Karakaçi, ka zhvilluar takim me ministrin irlandez për Klimën, Energjinë dhe Mjedisin, Darragh O’Brien, ku ndër temat kryesore ishte mundësia e forcimit të bashkëpunimit në sektorin energjetik.

Sipas njoftimit të ministrit Karakaçi, palët diskutuan për potencialin e energjisë së ripërtëritshme dhe veçanërisht për zhvillimin e teknologjive të ruajtjes së energjisë përmes baterive.

Karakaçi u shpreh se Irlanda, e cila sipas tij përbën një histori suksesi në këtë fushë, mund të jetë një partner me ekspertizë të rëndësishme për Shqipërinë në zhvillimin e kapaciteteve të ruajtjes së energjisë.

Bateritë për ruajtjen e energjisë po marrin rëndësi gjithnjë më të madhe në sistemet elektroenergjetike, veçanërisht për vendet që synojnë rritjen e kapaciteteve nga burimet e diellit dhe erës, pasi ndihmojnë në balancimin e prodhimit dhe rritjen e fleksibilitetit të rrjetit, përcjell Energy Monitor.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për mundësitë e tjera të bashkëpunimit mes dy vendeve, përfshirë sektorin e aviacionit, ndërsa Karakaçi vlerësoi edhe mbështetjen e Irlandës në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Takimi u zhvillua në Nju Jork, ku ministri Karakaçi mori pjesë në Forumin Politik të Nivelit të Lartë për Zhvillimin e Qëndrueshëm (HLPF) në selinë e Kombeve të Bashkuara.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com