Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të reformimit të tregut të energjisë elektrike, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për sektorin e energjisë, i cili synon të përafrojë më tej legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Evropian dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në Komunitetin e Energjisë.
Ligji, i botuar në Fletoren Zyrtare më 30 qershor 2026, krijon një kuadër të ri për organizimin, funksionimin dhe zhvillimin e tregut të energjisë elektrike në Shqipëri. Së fundmi, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka sjellë në vëmendje disa nga ndryshimet kryesore që ai parashikon.
Sipas ERE-së, kuadri i ri synon ndërtimin e një tregu më transparent, më konkurrues dhe më të qëndrueshëm, duke zgjeruar njëkohësisht të drejtat dhe rolin e konsumatorëve.
Një nga risitë më të rëndësishme është krijimi i bazës ligjore për konsumatorin aktiv, i cili do të ketë mundësi të prodhojë energji për nevojat e veta, ta konsumojë atë dhe të marrë pjesë në mekanizmat e rinj të tregut.
Ligji mbështet gjithashtu integrimin më të madh të burimeve të energjisë së ripërtëritshme në sistemin elektroenergjetik, duke njohur edhe shërbime të reja si agregimi, menaxhimi i kërkesës dhe fleksibiliteti i konsumit, përcjell Energy Monitor.
Këta mekanizma mundësojnë bashkimin e prodhimit ose konsumit të disa pjesëmarrësve dhe përshtatjen e kërkesës sipas kushteve të tregut dhe nevojave të sistemit energjetik.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e reformës është digjitalizimi i sektorit. Ligji parashikon përdorimin e sistemeve moderne të matjes, të cilat, sipas ERE-së, do të rrisin saktësinë e matjeve, cilësinë e shërbimit dhe transparencën në marrëdhëniet ndërmjet operatorëve dhe konsumatorëve.
Kuadri i ri ligjor synon gjithashtu zhvillimin e mëtejshëm të tregut të energjisë elektrike dhe rritjen e konkurrencës ndërmjet pjesëmarrësve, duke krijuar kushte për integrim më të madh të tregut shqiptar me tregjet rajonale dhe ato evropiane të energjisë.
Në të njëjtën kohë, ligji forcon mekanizmat për informimin dhe mbrojtjen e konsumatorëve, duke krijuar mundësi për një pjesëmarrje më aktive të tyre në treg.
Me hyrjen në fuqi të ligjit, ERE do të ketë një rol më të zgjeruar në rregullimin, monitorimin dhe mbikëqyrjen e sektorit, me synimin për të garantuar një ekuilibër ndërmjet interesave të konsumatorëve, operatorëve të tregut dhe objektivave të politikës energjetike.
Megjithatë, zbatimi i plotë i ligjit do të kërkojë miratimin e një pakete aktesh nënligjore. ERE pritet të hartojë dhe miratojë rregullore, metodologji, kode dhe procedura që do të përcaktojnë mënyrën e zbatimit të dispozitave të reja, përfshirë vetëprodhimin, agregimin, menaxhimin e kërkesës dhe përdorimin e sistemeve të matjes digjitale.



